Shqipëria

Basha përgëzon Kongresin amerikan për vënien në dispozicion të Ukrainës të aseteve të ngrira ruse


Kongresi Amerikan sapo votoi projektligjin për konfiskimin e aseteve të ngrira të Federatës Ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të Ukrainës.

Kështu bën me dije kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një postimi në media sociale.

“Përgëzime dhe mirënjohje ligjvënësve amerikanë e në veçanti nismëtarëve të këtij projektligji, Congressman French Hill dhe kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme Michael McCaul”.

Basha shkruan më tej se është nder dhe privilegj që “edhe unë kam patur ndihmën dhe mbështetjen e tyre dhe miqve amerikanë në këtë proces jetik për Ukrainën në Këshillin e Evropës”.

Ndërsa, kujtojmë se më 16 prill Parlamenti Evropian miratoi rezolutën e Bashës sa i takon konfiskimit të aseteve ruse, me qëllim përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës.

Ka qenë vetë Basha, i cili ka shpërndarë një mesazh falënderimi përmes Facebook-ut, lidhur me ngjarjen.

“Të dashur miq ju përshëndes këtu nga aola, nga agora e Parlamentit Evropian ku Asambleja Parlamentare sapo ka votuar unanimisht propozimin tim, rezolutën për konfiskimin e aseteve ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës”, bën me dije kreu i demokratëve.

Po kështu, ai shtoi se po ashtu është pranuar rekomandimi që Këshilli i Evropës të ngrejë pa vonesë një komision ndërkombëtar të pretendimeve të Ukrainës për dëmet e shkaktuara nga agresioni rus dhe një fond ndërkombëtar për depozitimin e të gjithë aseteve të ngrira ruse, mbi 300 miliardë euro dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës.

“Në këtë takim, në këtë mbledhje të veçantë ka qenë edhe kryetari i Kuvendit të Ukrainës, fjala e të cilit po kështu ka pasur një peshë të jashtëzakonshme”, përmbyll Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore