Shqipëria

Alfred Peza është dorëhequr nga pozita si drejtor i RTSH-së


Alfred Peza, pas vetëm 10 muajsh në detyrën e drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, është dorëhequr nga detyra e tij.

Kështu ka mësuar Albanian Post, ku zbulohet se Peza i ka bërë me dije bordit dhe drejtuesve të redaksive për vendimin e tij. Ndërsa, një reagim apo deklaratë publike nga vetë RTSH-ja ende mungon mbi këtë dorëheqje të papritur të Pezës.

Më 13 qershor, ai u zgjodh me nëntë vota si drejtor i përgjithshëm, përballë kandidatëve të tjerë Laureta Roshi, Enri Mehmeti dhe Helidon Haliti.

Megjithatë, rrugëtimi i shkurtër i Pezës nuk ka qenë i lehtë në këto 10 muaj, pasi jo pak herë ai është akuzuar për vendimmarrje të gabuara, emërime jo të duhura të “besnikëve” të tij, apo edhe shkarkime masive.

Në lidhje me largimin e Pezës, ka pasur një reagim publik edhe nga deputetja demokrate, Ina Zhupa.

Sipas deputetes demokrate Ina Zhupa, drejtuesi i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza, ka dhënë dorëheqjen nga pozita që mbante dhe e ka cilësuar këtë një “fitore të vogël”.

Sipas Zhupës, ky akt e ka çliruar RTSH-në nga paligjshmëria.

“Që para se të zgjidhej e kam denoncuar që po përgatitej zgjedhja e tij me porosi”, shkruan Zhupa përmes një publikimi në media sociale.

Ajo shton se kur Peza është zgjedhur, e ka denoncuar si zgjedhje të paligjshme se nuk plotësonte kriteret e ligjit që nuk duhet të kishte qenë deputet para dy legjislaturave, që nuk duhet drejtonte media gjashtë muajt e fundit, që nuk duhet të ishte aksioner në media.

Por, sipas saj, ai prapë u mbajt në mënyrë antiligjore aty,

“Gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit e kam denoncuar si abuzues me detyrën me shkarkimet e paligjshme dhe jashtë çdo norme të kodit të punës dhe norme morale dhe njerëzore. Në të njëjtën mënyrë abuzive dhe punësonte pa asnjë kriter dhe menaxhonte fondet publike të RTSH si personale”, shton Zhupa.

Ajo gjithashtu është shprehur e keqardhur ndaj kolegëve të saj deputetë në Komisionin e Medias, pasi sipas saj, ata nuk u ngritën në lartësinë e detyrës, edhe pse i kishin parë shkeljet e Pezës.

“RTSH është aset publik që mbahet me taksat e shqiptarëve dhe duhet drejtohet në bazë të ligjit dhe në shërbim të interesit publik”, përmbyll ajo. “I bëj thirrje këshillit drejtues pas këtij dështimi të radhës herë tjetër të ndjekin ligjin kur zgjedhin drejtuesin e ri të RTSH”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore