Lajme

Zviceranët do të votojnë të dielën për dy referendume


Zviceranët votojnë për një ligj të ri për mbrojtjen e klimës dhe taksat më të larta të korporatave.

Sondazhet tregojnë se të dyja masat do të kalojnë.

Rezultatet priten në orët e para të pasdites.

Parlamenti ka miratuar tashmë një projekt-ligj për klimën, por Partia Popullore Zvicerane (SVP) konservatore e kundërshton atë.

Kjo, duke argumentuar se do të shkaktonte një shpërthim në rritjen e çmimeve.

SVP mblodhi mjaft nënshkrime për të detyruar votën në referendum, transmeton Al Jazeera.

Ligji synon ta bëjë Zvicrën neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050.

Për ta arritur këtë, emetimet e dëmshme duhet të reduktohen me 75 për qind deri në vitin 2040 krahasuar me nivelet e vitit 1990. Konsumi i energjisë fosile duhet të reduktohet.

Qeveria zvicerane dëshiron të inkurajojë braktisjen e ngrohjes me naftë dhe gaz me stimuj financiarë.

Kompanitë do të marrin gjithashtu mbështetje për t’i ndihmuar ato të kalojnë drejt teknologjive më miqësore me klimën.

3.2 miliardë franga zvicerane janë në dispozicion për këtë qëllim gjatë një periudhe dhjetëvjeçare.

Zvicra ende importon rreth tre të katërtat e energjisë së saj. Parqe të mëdha me panele diellore dhe më shumë turbina me erë janë planifikuar në Alpe.

Në rastin e tatimit mbi fitimin, çështja është zbatimi i vendimit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) i cili kërkon që kompanitë ndërkombëtare me shitje të paktën 750 milionë euro të taksohen me një normë prej të paktën 15 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore