Shqipëria

Zjarri në Shkodër, Policia: U shkaktua nga dy të mitur që po luanin


Policia e Shkodrës ka zbardhur shkakun e zjarrit masiv që përfshiu disa banesa në tregun e rrobave të përdoruar ditën e djeshme.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia bën me dije se rezultoi se dy të mitur 9-vjeçarë që kanë qenë duke luajtur në afërsi të tregut dhe dyshohet se kanë shkaktuar zjarrin.

Si pasojë e flakëve u shkrumbuan 25 njësitë tregtare që ishin brenda tregut.

Nga flakët një banore e zonës dhe dy zjarrfikës kanë shfaqur probleme si pasojë e zjarrit dhe po marrin ndihmë mjekësore në spital, ku ndodhen në gjendje të stabilizuar.

Në terren për vënien në kontroll të flakëve ishin 21 mjete zjarrfikëse, të repartit të Shkodrës, nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari, 110 efektivë të forcave zjarrfikëse, 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të repartit të FNSH, 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës, 110 punonjës të Bashkisë Shkodër, 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës dhe 1 helikopter i ushtrisë.

Dëmet materiale llogariten të jenë të shumta, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Kjo sepse në momentin e zjarrit tregu ishte i mbyllur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore