Shqipëria

Zgjedhjet për kryebashkiakun e Kukësit caktohen më 24 shtator


Një dekret i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj ka caktuar 24 shtatorin si datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar Bashkie në Bashkinë e Kukësit.

Lajmi u bë i ditur nga Presidenca shqiptare, duke cituar njoftimin për shtyp.

Më 16 qershor, Këshilli i Ministrave shkarkoi me vendim të menjëhershëm kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici.

Kjo, pas publikimit të një videoje erotike në media ku ai shfaqej teksa kryente akte seksuale me një vajzë.

Kryetari i Bashkisë Kukës kishte paraqitur më herët dorëheqjen në median sociale “Facebook”, bashkëngjitur një ndjese publike.

“Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve!”.

Kështu shkruante Gjici në postimin e tij në median sociale Facebook.

Prej fillimit të postimit, ai ka kërkuar ndjesë të thellë ndaj publikut dhe gjithkujt që e ka parë materialin, të cilin e ka etiketuar si “të shëmtuar”.

Mirëpo, njëkohësisht, e ka quajtur të gjithën një kurth nga kundërshtarët.

“Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve”.

Prokuroria e Posaçme SPAK do të niste një procedim penal ndaj Gjicit, pas publikimit të një videoje erotike ku ai shfaqet së bashku me një vajzë në zyrën e tij.

Nga pamjet e videos duket ai, së bashku me një vajzë, duke kryer akte seksuale në atë çfarë duket si zyra e Gjicit.

Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën WhatsApp.

Prokurorët e SPAK-ut zbritën në terren në Kukës mëngjesin e 19 qershorit, ku sekuestruan serverin e kamerave të sigurisë, si edhe dokumente të ndryshme, të cilët mund të ndihmonin në hetimin e Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut, i tërhequr tashmë nga detyra pas publikimit të një videoskandali seksual.

Gjici u arrestua më 24 qershor 2023 në Tiranë për korrupsion pasiv pasi dyshohet se ka favorizuar Alma K., duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.

Raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili.

Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.

Videoja erotike që shkatërroi karrierën e Safet Gjicit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore