Shqipëria

Videoja erotike që shkatërroi karrierën e Safet Gjicit


Brenda disa orësh nga publikimi i materialit erotik të filmuar në zyrat e bashkisë së Kukësit, karriera administrative e Safet Gjicit u shkatërrua tërësisht.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur menjëherë një procedim penal ndaj ish-zyrtarit, pas shpërndarjes së një videoje erotike ku ai shfaqet së bashku me një vajzë në zyrën e tij.

Pamjet e filmuara në mënyrë amatore shfaqin ish-kryebashkiakun duke kryer akte seksuale në atë çfarë duket si zyra e Gjicit.

Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën “WhatsApp”.

Ajo është filmuar më datë 6 qershor dhe nuk dihet ende se e kujt është autorësia e videos, ose rrethanat në të cilën është filmuar.

Akuza kryesore që mund të ngrihet ndaj Gjicit ndërkaq, mund të të jetë ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa, raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili.

Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.

Reagimet

Këshilli i Ministrave shkarkoi me vendim të menjëhershëm Gjicin pas publikimit të videos erotike në media.

“Sot Këshilli i Ministrave mori një vendim për shkarkimin e menjëhershëm për shkarkimin e kryetarit të bashkisë së Kukësit”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.

Më herët, kryetari i Bashkisë Kukës paraqiti dorëheqjen në median sociale “Facebook”, bashkëngjitur një ndjese publike.

“Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve!”.

Kështu shkruan Gjici në postimin e tij në median sociale “Facebook”.

Prej fillimit të postimit, ai ka kërkuar ndjesë të thellë ndaj publikut dhe gjithkujt që e ka parë materialin, të cilin e ka etiketuar si “të shëmtuar”.

Mirëpo, njëkohësisht, e ka quajtur të gjithën një kurth nga kundërshtarët.

“Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve”.

Partia Demokratike

Pas publikimit të videos erotike të kryebashkiakut të Kukësit, një reagim ka ardhur nga Partia Demokratike.

Përmes një njoftimi zyrtar të selisë blu thuhet se “pushteti i fituar pa të drejtë çon në akte të tilla”.

“Video e publikuar sot, që përmban një regjistrim të pahijshëm të kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ka sjellë në vëmendje të opinionit disa fakte që lidhen me pushtetin dhe abuzimin me të”, vëren reagimi i opozitës.

Së pari, sipas PD-së “është përdorimi i zyrës së kryebashkiakut si dhomë gjumi apo shtëpie publike, çka shënon mungesën e respektit për institucionet dhe për votuesit”.

Së dyti, është shenjë se “pushteti i fituar pa të drejtë, me para dhe abuzime elektorale, çon në sjellje të tilla të padenja për një funksionar publik dhe prind”.

Së treti, video e Gjicit është “shenja se pushteti i Edi Ramës nuk ushtrohet ndryshe veçse duke shkelur ligjin dhe kodet e etikës, duke përdhosur zyrat e shtetit”.

“Pushtetit të tij nuk i mjaftojnë shtëpitë, hotelet, makinat. Ky pushtet, pasi merr me forcën e abuzimit elektoral zyrat e shtetit, i kthen ato në distrikt të dritave të kuqe”, përmbyllet reagimi.

Po ashtu i është bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të njoftojë Presidencën për vakancën dhe ky i fundit të shpallë sa më parë datën e zgjedhjeve për bashkinë e Kukësit pas largimit nga detyra të Gjicit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore