Lajme

Zgjedhjet në Veri, Rashiç: Një zgjidhje e përkohshme


Nenad Rashiç

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri të Kosovës, të mbajtura të dielën të cilët përfunduan qetë dhe pa asnjë incident, mirëpo siç edhe pritje me pjesëmarrje tejet të ulët, sipas ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, është një zgjidhje e përkohshme për këtë pjesë të vendit dhe serbët që jetojnë atje.

“Është një zgjidhje e përkohshme, pasi në asnjë sistem demokratik nuk preferohet që 2 ose 3 ose 4 për qind të dalin në votim”, ka thënë Rashiç në një konfernecë për media pas mbledhjes së 140-të të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij zgjedhjet në Veri kanë dëshmuar se ka një vazhdimësi të keqpërdorimit të serbëve nga ana e një regjimi autokrat në Serbi, i cili i përdorë serbët si mjet për arritjen e qëllimeve e veta.

“Në aspektin njerëzorë nuk po arrijë të kuptoj se çka po përpiqen të bëjnë, pasi kemi kaluar një rrugë shumë të gjatë që të arrijmë në këtë moment”, ka thënë Rashiç.

Zgjedhjet në Veri: Kush fitoi në këto zgjedhje?

Fitorja ishte e barabartë në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi janë dy komunat ku do të udhëheqin kandidatët e Vetëvendosjes.

Erden Atiq do jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut, pasi ka marrë 519 vota apo 66.5 për qind, derisa pas tij është renditur ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Taulant Kelmendi, me186 vota apo 23.8 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 75 vota apo 9.6 për qind.

Lulzim Hetimi i LV-së doli i pari në garën për kryetar. Ky i fundit numëroi 100 vota apo 73.5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind. Ndërsa Aleksandër Jabllanoviç, edhe pse u tërhoq nga gara, mori dy vota.

Kandidati i VV-së në Leposaviq: Edhe nëse bashkëpunojmë me PDK-në nuk kërcet kiameti – NACIONALE

E, Zveçani e Zubin Potoku janë dy komunat ku Partia Demokratike e Kosovës do ta ketë udhëheqjen.

Izmir Zeqiri, do të jetë kryetar i Zubin Potokut, pasi që arriti të dalë më i votuari me 196 vota apo 52.1 për qind, kurse Flatron Hasani nga LV-ja pati 180 vota apo 47.9 për qind.

Sipas KQZ-së, PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Zveçan.

Ilir Peci mori 114 vota apo 60 për qind, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 71 vota apo 37.4 për qind. Sllagjana Pantoviç si kandidate e pavarur mori pesë vota apo 2.6 për qind.

Cilat ishin reagimet e ndërkombëtarëve?

Fillimisht, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një reagimi për media bëri të ditur se zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

“Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës të cilës i shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërisë demokratike”, thuhej në reagim.

Ndërsa, ndryshe nga ShBA-ja, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u shpreh pas përfundimit të procesit zgjedhor në katër komunat në Veri të Kosovës se “këto zgjedhje me kaq pak votues nuk japin zgjidhje politike”.

Ambasadori francez përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se “na vjen keq për mungesën e pjesëmarrjes nga disa parti”.

Ndërkaq, si pika pozitive të këtyre zgjedhjeve, Guerot veçoi “profesionalizmin e policisë së Kosovës”, dhe po ashtu atë të “KFOR-it dhe EULEX-it”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore