Lajme

Zgjedhjet në Serbi: Deri në orën 16:00 votuan mbi 11 për qind e qytetarëve në Preshevë, mbi 27 për qind në Bujanoc


Ilustrim

Deri në orën 16:00, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë, kanë votuar mbi 5 mijë qytetarë në dy komunat e banuara me shumicë shqiptare në Serbi – Preshevë dhe Bujanoc. Mbi 11 për qind e qytetarëve kanë votuar në Preshevë nga mbi 43 mijë votues, kurse mbi 27 përqind kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në Bujanoc.

“Dalja e votuesve deri në orën 16:00 është 5 mijë e 077 apo 11.71 për qind”, ka thënë për agjencinë kosovare të lajmeve “Kosova Press” kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Preshevë, Alban Mehmeti, ndërsa sipas kryesuesit të KKZ-së në Bujanoc, Fejzi Beqiri, deri në orën 16:00 kanë votuar 27.46 për qind e qytetarëve nga mbi 42 mijë votues.

E të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë shtetas të Serbisë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa qytetarët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës deri në orën 20:00 në mbrëmje. Deri në orën 17:00 kanë votuar 47.2 për qind e qytetarëve, ndërsa procesi zgjedhor në Serbi do të monitorohen nga mbi 5 mijë vëzhgues vendas dhe të huaj.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë, marrin pjesë 18 lista zgjedhore, dy prej të cilave janë koalicione të partive shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci – “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e ngritjes së tensioneve pas sulmit të armatosur terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore