Lajme

Zgjedhjet në Gjermani: Epoka e re e koalicioneve të pavendosura


Kandidati socialdemokrat, Olaf Scholz dhe ai i Unionit Kristan Demokrat, Armin Laschet

Tre ditë i ndajnë gjermanët nga drejtimi i tyre në kutitë e votimit, ku do të vendosin se kush do ta marrë drejtimin e vendit në katër vitet e ardhshme, duke caktuar kështu jo vetëm një rrjedhë të re për Gjermaninë, por për gjithë Evropën, pas hegjemonisë prej një dekade e gjysmë të ish-kancelares, Angela Merkel.

Si asnjëherë më parë, zgjedhjet gjermane janë krejtësisht të paparashikueshme. Çdo rrjedhojë elektorale, është e mundshme dhe çdo skenar është i pritshëm.

Pikërisht largimi i Merkel-it, ka sjellë paqartësi në radhët e Unionit Kristian Demokrat. Rivalët e tyre socialdemokratë, janë në një linjë të mirë për të shkuar drejt fitores.

Mirëpo, është e dukshme tashmë se partia fituese, do të ketë shumë më pak se sa një e treta e totalit të votave. Ky fragmentarizim, e bën Gjermaninë të njehsuar me Bashkimin Evropian.

Prej vitesh, gjermanët kanë bërë përjashtim nga rryma evropiane. Ata kanë krijuar dy shtylla kryesore politike si CDU dhe SPD, të cilat ndër dekada kanë qenë zërat kryesorë të zgjedhjeve.

Olaf Scholz, Annalena Baerbock dhe Armin Laschet, tre rivalët kryesorë për zgjedhjet gjermane, gjatë debatit të parë televiziv

Mjafton të thuash se nga CDU-ja, Konrad Adenauer qëndroi në pushtet nga viti 1949-1963. Ndërsa Angela Merkel dhe paraardhësi i saj në CDU, Helmut Kohl, qëndruan secili për 16 vjet në pushtet.

Sot, pretendohet se partia fituese, mund të jetë në rangun e 22%. Një shifër kjo shumë e ulët. Ndaj edhe koalicionet, janë bërë të vështira të parashikohen.

Me luhatje të mëdha në muaj dhe 30% të votuesve të pavendosur, është pak të thuhet se këto gjermane, do të jenë ndër zgjedhjet më të paparashikueshme në Evropë.

Midis Olaf Scholz dhe Armin Laschet, fitues mund të dalë një i tretë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore