Kosova

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri: Votojnë 2 qytetarët e parë serbë


Nje qender votimi ne Veri

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen në Mitrovicën e Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, tashmë kanë votuar dy votuesit e parë serbë.

Votimi ka ndodhur në një qendër votimi në Leposaviq.

Lajmin e ka bërë të ditur komisineri i kësaj qendre, Enver Aliu.

“Po ka pasur dy votues për momentin”, ka deklaruar ai, duke shtuar se “po presim edhe të tjerë”.

“Votuesit kanë qenë serbë, kjo është qendra e Leposaviqit dhe kanë qenë dy serbë votues”.

Aliu tregoi se përveç vëzhguesve shqiptarë, që janë shumica, ka edhe vëzhgues serbë.

“Po, vëzhgues ka edhe serbë, derisa në këtë qendër janë 4983 qytetarë me të drejtë vote, gjithçka është në rregull deri tani dhe presim pjesëmarrjen e serbëve në votim”.

Ai ka deklaruar se “qendra është hapur me kohë, materialet zgjedhore kanë ardhur me kohë dhe shpresoj se do të vazhdojë kështu”.

Voton Sladjana Pantoviç, kandidatja për kryetare të Zveçanit – e vetmja serbe që ka votuar deri më tani në Zveçan

Institucionet po presin 8% pjesëmarrje

Një kryesues i një qendre në Zubin Potok, duke folur për media, ka thënë se sipas kalkulimeve që kanë bërë, sipas disa sondazheve, po presin diku pjesëmarrje prej 8 për qind nga totali i atyre që kanë të drejtë votimi.

Në këto zgjedhje për katër kryetar komunash dhe dy asamble komunale, gjithsejtë kanë të drejtë vote 45 mijë e 95 persona.

Qyteti me numrin më të madh të qytetarëve me të drejtë vote është Mitrovica e Veriut me 18 mijë e 118 votues.

Qendra e dytë më e madhe është Leposaviqi me 13 mijë e 318 persona me të drejtë vote.

Dy qytetet tjera Zubin Potoku dhe Zveçani janë përafërsisht me të njëjtin numër qytetarësh që mund të votojnë.

Derisa Zveçani ka 6 mijë e 998 persona me të drejtë vote, Zubin Potoku ka 6 mijë e 661 pjesëmarrës potencialë në zgjedhje.

Nga ky numër prej 45 mijë vetash në total, Komisioni Qendror Zgjedhor po pret pjesëmarrje rreth 8 për qind.

Nga minutat e para të hapjeve të vendvotimit shihet se vështirë do të jetë i arritshëm edhe ky numër, meqë në orët e para nuk është regjistruar asnjë votues.

Zëdhënësi i KQZ-së: Deri tani gjithçka në rregull, ftojmë qytetarët të dalin të votojnë

Valmir Elezi

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka mbajtur konferencën e parë për media në orën 08:00 duke konfirmuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë dhe me rregull, derisa ka ftuar qytetarët në katër komunat veriore që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Sipas planifikimeve është bërë shpërndarja e materialeve zgjedhor, sipas procedurave shpërndarja është bërë në bashkëpunim dhe përcjellje të policisë. Sipas informacioneve nga komisionet komunale të zgjedhjeve, janë hapur me kohë të gjitha qendrat votimit në këto komuna. Janë gjithsejtë 19 qendra dhe siç kemi njoftuar, gjashtë prej tyre janë të rregullta, 13 të tjera alternative”.

Elezi ka ftuar “qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”.

Ai, i ballafaquar nga gazetarët me disa raste të vonesave të ardhjes së materialeve në qendra të votimit, ka thënë se “menjëherë pas kësaj konference do të marrim rastet specifike nëse ka, për të parë se a ka pasur probleme. Do të shohim çdo çështje për të marrë trajtimin e duhur”.

Elezi ka thënë se në konferencën e radhës, atë të orës 11:00, do të ketë të dhëna shtesë dhe do të jepet edhe përqindja e daljes në zgjedhje deri në atë orë.

Si erdhi deri te këto zgjedhje?

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore