Shqipëria

Zgjedhje pa debat publik


Ishte 31 janar 2002, kur shumica e shqiptarëve ndoqën një ndër debatet politikë më të kërkuar në vend.

Në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu qenë të ftuar ish-kryeministri i asaj kohe, lideri i Partisë Socialiste (PS), Fatos Nano, dhe ish-presidenti i Shqipërisë, lideri i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha.

Gjatë emisionit, Fevziu iu referua këtyre dy liderëve si “figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare”.

Të dy premtonin dhe zotoheshin për demokratizimin dhe evropianizimin e Shqipërisë.

Kjo ishte e vetmja pikë e përbashkët e dy “drejtëzave prerëse”.

Rruga dhe mjetet për të arritur këtë standard për vendin ishin tërësisht të ndryshme.

Midis tyre ndryshonin ideologjitë, ndryshonte e kaluara politike dhe rrethi shoqëror.

Gjatë emisionit viheshin re mendime që “rriheshin” njëra me tjetrën, por shumë rrallë tonalitete të larta, fyerje apo sharje.

Pse kaq rrallë një debat midis dy liderëve politikë?

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), si pjesë të fushatës elektorale, është edhe debati politik mes dy kandidatëve për president.

Për herë të parë do të ndodhte në vitin 1960, kur në një debat televiziv Richard Nikson me John F. Kennedy u përballën.

Më pas, kjo u bë pjesë e kulturës politike amerikane.

Ndonëse debati televiziv i SHBA-së është më i ndjekuri, këtë lloj metode e aplikojnë edhe shtete të tjera, si: Britania e Madhe, Gjermania, Irlanda, Franca, Irani, Kenia apo Uruguai.

Për Albanian Post, politologia Klodiana Beshku ka argumentuar qëndrimin e saj pse debati politik i ndodhur në vitin 2002 nuk ndodh kohët e fundit.

“Mendoj se në vitin 2002 kishim një kontekst politik të ndryshëm nga ky që është sot.

Në vitin 2002, debati ballë për ballë ishte e vetmja formë e të debatuarit mes dy liderëve kryesorë, të cilët gëzonin të dy pozita shumë të forta në partitë përkatëse”.

Duke u kthyer pas në kohë, Beshku përmend gjestin e shtrëngimit të duarve midis dy liderëve si një moment të rrallë paqeje.

“Ishte një debat fort i dëshiruar nga njerëzit dhe mbaj mend që momenti i dhënies së dorës mes Nanos e Berishës ka mbetur gjatë në memorien e shqiptarëve, si një moment i rrallë paqeje mes tyre”.

Politologia bën edhe një paralelizëm të formës së debatit si ka qenë dhe si ka evoluar në ditët e sotme.

Sipas saj, mediat sociale kanë ndikuar në mospërballjen e drejtpërdrejtë midis tyre.

“Sot ka ndryshuar vetëm forma. Liderët debatojnë (ndonëse jo drejtpërdrejt) nëpërmjet rrjeteve sociale”.

Sipas trajnerit në projektin kombëtar “Re-Debate”, Dritan Sakuta, lehtësisht vihet re se, edhe pse janë disa forca politike që kandidojnë për zgjedhjet lokale apo qendrore, përsëri nuk ka një përballje të vërtetë mes liderëve të partive politike.

Kjo shpjegon ai ndodh sepse “shumica e partive që garojnë nuk e kanë një program”.

Sakuta thekson që për të bërë këtë proces duhet që secili prej përfaqësuesve të ketë “një program të caktuar, me tema apo problematika të caktuara”.

“Gjë që ndodh rrallë, edhe në raste zgjedhjesh, sepse shumica e partive që garojnë nuk e kanë një program”, shton ai.

Liderët, sipas tij, zgjedhin sulme politike kundrejt njëri-tjetrit, dhe këto, jo në përballje direkte.

Skuta, në mbështetje të argumentit të tij, shton se mungon edhe hapësira mediatike për të zhvilluar një debat të mirëfilltë politik.

Kjo vjen sepse shumë media kombëtare “janë të orientuara politikisht” dhe sjell që “politikanët vetë të mos t’u besojnë ftesave për përballje të tilla”, ka konkluduar ai.

Beshku, e cila është pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, mendon ndryshe.

Sipas saj, publiku e konsideron përfshirjen në debat si “dobësi e liderit”, prandaj ky i fundit nuk pranon të debatojë me kundërshtarin politik.

“Pranimi për t’u vënë ballë për ballë mund të perceptohet si dobësi e liderit dhe liderët tanë e kanë shumë të rëndësishëm këtë perceptim.

Ai që refuzon kërkon të japë mesazhin që kundërshtari ‘nuk është në lartësinë e duhur’ ose nuk është legjitim.

Pra, gjithçka është në funksion të perceptimit të publikut, jo siç duhet të jetë”.

Një problem tjetër, vijon sqarimin e tij Skuta, është dhe mungesa e kulturës së debatit te  politikanët tanë.

Sipas tij, përfaqësuesit kryesorë të popullit kanë tendencë që t’i bëjnë presion “kundërshtarit”.

Kjo ndodh gjatë debateve me gazetarë apo analistë.

“Ata dhe në përballje të ndryshme televizive përballë gazetarëve, kanë tendencën të intimidojnë këta të fundit qoftë me sulme personale apo duke i bërë presione për vendet e punës”.

Zgjedhjet parlamentare janë vetëm pak javë larg.

Deri tani, lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur gatishmëri të bëjë një debat politik me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Ky i fundit nuk e ka pranuar me arsyetimin se Basha nuk është lideri i vërtetë i PD-së.

Si përfundim, nëse publiku shqiptar, me të vërtetë e konsideron debatin publik si “dobësi e liderit”, Beshku sugjeron që “liderët tanë duhet të edukojnë publikun, jo ta ndjekin atë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore