Lajme

Zëvendësministri Sallahu: Prokuroria po i hakmerret Qeverisë


Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se dyshimet e Prokurorisë Speciale për keqpërdorimin e mbi 600 mijë eurove të rezervave shtetërore nga MINT, kanë ardhur si formë hakmarrje ndaj Qeverisë.

“Kur çështja me karakter komplet civil tentohet të kthehet në çështje penale si formë hakmarrje ndaj qeverisë. Prandaj, është keqpërdorim i mekanizmave ligjor për hakmarrje, e asgjë me shumë”, ka shkruar ai në Facebook.

“Kur lidhet një kontratë me element të huaj, në mes shtetit dhe një operatori ekonomik ndërkombëtar, në të cilën përcaktohet saktë sasia e mallit që do të vije, çmimi dhe pagesa dhe pavarësisht mosardhjes së mallit ose ardhjes së kufizuar të saj në Kosovë, nuk mund të ketë karakter tjetër përveçse civil”, ka shpjeguar ai.

Sallahu është i bindur që në rastin në fjalë në asnjë formë nuk ka përgjegjësi penale.

“Ky kontest civil zgjidhet ne gjykatën kompetente të përcaktuar në kontratë. Pra, zgjidhja e kontestit civil determinon se a mund te ketë vepër penale në këtë rast ose jo. Siç shihet nga provat dhe faktet operatori ekonomik nuk ka sjellur mallin në tërësi dhe kësisoj gjykata mund të merr vendim duke detyruar operatorin e tillë ekonomik për dëmshpërblim”.

Prandaj, ai insiston që realizimi i kontratës nga MINT dhe mosrealizimi i kontratës nga operatori ekonomik në tërësi nuk përben vepër penale por bazë të mjaftueshme për realizim te dëmshpërblimit në gjykatë.

“Nëse vendimi i tillë merret në gjykatën kompetente në Kosovë, atëherë ky vendim njihet dhe ekzekutohet në vendin ku ndodhet selia e operatorit-ve ekonomik. Nëse do te shkonim me supozimin se secili mosrealizim i kontratës ose realizim i pjesshëm i kontratës do te plotësonte figurën e veprës penale atëherë krejt qytetaret e këtij shteti do jenë përgjegjës penalisht dhe do ta shuanim të drejtën civile si degë të së drejtës”.

“Prokuroria Speciale ka mbyllur rastin e Vicianumit (pronë e shërbimit korrektues ku i është dhënë ne shfrytëzim për afat 10 vjeçar një personi fizik, pastaj është regjistruar si person juridik) ku është lidhur kontrate bash pa asnjë bazë ligjore, ku janë rrënuar objektet shtetërore, duke theksuar ne aktvendim për hedhjen e kallëzimit penal se ka shkelje procedurale dhe civile, por jo penale”.

Ai ka shtuar se e njëjta prokurori e ka bërë këtë veprim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore