Lajme

Zëvendës-këshilltari për Siguri Kombëtare i Biden me kërkesa eksplicite: Kurti ta tërheqë policinë, Vuçiç ushtrinë, të de-përshkallëzohet situata


Jon Finer dhe Joe Biden

Qeveria e Kosovës t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur në katër komunat veriore të kryejnë detyrat e tyre në ndërtesa alternative dhe të tërheqë njësinë speciale të Kosovës nga ndërtesat komunale.

Këto janë dy kërkesat eksplicite të Zëvendës-Këshilltarit për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jon Finer, të drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të premten.

Në një bisedë telefonike të realizuar me të parin e qeverisë në Kosovë, Finer, ka nënvizuar shqetësimin e SHBA-ve për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës duke u bërë thirrje të dyja palëve të ndërmarrin hapa që shtensionojnë situatën në këtë pjesë të vendit.

“Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për zgjedhje të reja”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Finer gjithashtu ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja duke zbatuar në plotni Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.

Në po të njëjtën ditë, pra të premten, zëvendësi i Jake Sullivan, Finer, ka realizuar një bisedë telefonike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në një komunikatë të lëshuar për media nga Shtëpia e Bardhë bëhet e ditur se Finer ka kërkuar në mënyrë eksplicite që Qeveria e Serbisë ta tërheqë forcat e saj të armatosura nga kufiri me Kosovën dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë të ushtrisë serbe.

“Finer kërkoi nga Serbia gjithashtu t’u bëjë thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë paqësore në Veri të Kosovës”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, menjëherë pas takimit joformal 10-minutësh ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologut të saj serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Franca dhe Gjermania, u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë që të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ndërsa Borrell, i cili ishte pjesë e këtij takimi, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, do të tregonte tri kërkesat që ia kanë paraqitur të enjten Franca dhe Gjermania presidentes Osmani dhe të cilat, autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin menjëherë ngase në të kundërtën “do të ketë pasoja serioze” për shtetin më të ri në Evropë.

“Zgjedhje të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asocicionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell.

Ndryshe Albanian Post më 1 qershor publikoi skenarin tetë-pikësh, i hartuar nga vendet e QUINT-it e Bashkimit Evropian, për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës.

Në pikën e parë, të dokumentit të publikuar nga AP, kërkohet angazhimi i menjëhershëm për interpretimin e Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar në Ohër, veçanërisht në pikat 1,3,7 dhe 9.

Artikulli 1 kërkon që palët të zhvillojnë raporte normale. Artikulli 3, që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes mjeteve paqësore. Ai 7, që ka të bëjë me krijimin e komunave të vetëmenaxhuara me shumicë serbe në Kosovë si dhe artikulli 9, ku të dy palët dhe donatorë angazhohen për të krijuar paketa financiare për zhvillimin ekonomik.

Pika e dytë, parasheh tërheqjen e Forcave Speciale të Kosovës nga veriu, bashkëngjitur me tërheqjen e Ushtrisë serbe nga kufiri verior i Kosovës.

Në pikën e tretë shkruhet se siguria në territorin e komunave veriore i kalon Policisë së Kosovës, asistuar nga KFOR dhe EULEX.

Pika e katërt parasheh zhbërjen e çdo proteste dhe rikthimin e jetës normale në vend. Punonjësit e komunave duhet të kthehen në pozitat e tyre dhe të ushtrojnë detyrën pranë objekteve sipas parashikimit ligjor.

Në korrik 2023, kryetarët e komunave japin dorëheqje dhe presidentja Vjosa Osmani shpall zgjedhje të reja.

Pika e gjashtë parasheh mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në fund gushti ose fillim shtatori 2023.

Kërkohet ndërkaq sipas pikës shtatë se pikat 3,4,5 dhe 6 të marrëveshjes bazë, do të kenë progres domethënës, duke implementuar edhe artikullin 1 të marrëveshjes.

Në mes nëntori, siç përshkruan pika e 8 dhe e fundit, implementohet me efektivitet artikujt 1,2,3,4 dhe 9 të marrëveshjes.

EKSKLUZIVE/ 8 pikat ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e situatës në veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore