Kosova

Zemaj ironizon pas arrestimit të mjekëve në Gjilan: Gjykatësi e prokurori Kurti e ka fjalën e fundit


Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka ironizuar me Qeverinë e Kosovës pas arrestimit të një kirurgu dhe një anesteziologu në spitalin e Gjilanit të shtunën, nën dyshimin se kanë kërkuar ryshfet.

Ai vlerësoi se nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është ngritur niveli i korrupsionit dhe nepotizmit në kurriz të pacientëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke thënë se tash pritet që Kurti t’i “sulmojë” hetuesit dhe prokurorët.

“Në vazhdimësi kemi ngritur zërin dhe shqetësimet tona për degradimin e plotë të strukturës organizative nga qeveria Kurti dhe ministrat e tij të shëndetësisë me ndërhyrjet dhe vendosjen e militantëve politik në QKUK dhe në spitalet rajonale”, shkroi Zemaj.

“Sigurisht e fatkeqësisht, si zakonisht, tani dalin i sulmojnë hetuesit dhe prokurorët duke iu dalur kështu në mbrojtje shkelësve të ligjit. Kryeministri, prokurori dhe gjykatësi Kurti e ka fjalën e fundit. Verdikti dihet; shkelësit e ligjit – të VV-së, nuk duhet të hetohen, aq më pak të dënohen”, shtoi ai.

Prokuroria Themelore e Gjilanit do të kërkojë masën e paraburgimit për dy mjekët e arrestuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, nën dyshimet për marrje të ryshfetit për të kryer një ndërhyrje. Kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu Halil Basha, janë arrestuar nga Krimet Ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore