Lajme

Zelensky: Granatimi i kopshtit, një “provokim i madh”


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bombardimi i kopshtit në Stanytsia Luhanska “nga forcat pro-ruse është një provokim i madh”.

“Granatimi i një kopshti fëmijësh në Stanytsia Luhanska nga forcat pro-ruse është një provokim i madh. Është e rëndësishme që diplomatët dhe OSBE-ja të qëndrojnë në Ukrainë, aktivitetet e tyre monitoruese janë një pengesë shtesë”, shkroi Zelensky në Twitter.

Presidenti shtoi se “ne kemi nevojë për një mekanizëm efektiv për regjistrimin e të gjitha shkeljeve të armëpushimit”.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) tha se ka pasur “incidente të shumta granatimesh” të enjten në mëngjes përgjatë vijës së frontit në rajonin e Donbas-it.

Raportimet thanë se sulmi në qytetin e Stanytsia Luhanska hapi një vrimë në murin e kopshtit numër 21.

Republika Popullore e Luhansk-ut (LPR) akuzoi forcat ukrainase për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit.

Kjo, pasi hapi zjarr katër herë në 24 orët e fundit – një pohim që Kiev-i zyrtar e hodhi poshtë.

Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia kishte qëlluar mbi pozicionet e tyre duke përdorur armë të ndaluara – duke shtuar se Ukraina nuk u kundërpërgjigj.

“Pavarësisht faktit se pozicionet tona u qëlluan me armë të ndaluara, duke përfshirë artileri 122 milimetra, trupat ukrainase nuk hapën zjarr si kundërpërgjigje”, u shpreh një zyrtar i shtypit të forcave të përbashkëta ukrainase.

Kreu i fshatit Albert Zinchenko sqaroi për BBC News Ukraine se tre persona u plagosën.

“Një roje sigurie, një punonjëse lavanderie dhe një ndihmës mësuese e çerdhes. Ata janë në spital duke vuajtur nga goditja e predhave dhe stresi”, tha Zinchenko.

Kryebashkiaku shtoi se disa fëmijë ndodheshin në ndërtesë në momentin e granatimeve, por shpëtuan të padëmtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore