Lajme

Zëdhënësi i Qeverisë për opozitën: Me gjasë nuk deshtën të vazhdojnë një debat që veçse kishin filluar ta humbnin


Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka arsyetuar kryeministrin Kurti dhe ministren Gërvalla që kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës derisa po debatohej për politikën e jashtme.

Sipas tij, shtyrja e seancës për shkak të mosprezencës së tyre më shumë duket të jetë pretekst se sa aryse.

“Meqë kryeministri Kurti e zëvendëskryeministrja Gërvalla munguan vetëm një orë gjatë një debati parlamentar që di të bëhet gjithëditor, shtyerja e seancës për shkak të mosprezencës së tyre më shumë duket të jetë pretekst se sa arsye. Me gjasë nuk deshtën të vazhdojnë një debat që veçse kishin filluar ta humbnin”, ka shkruar Kryeziu në ‘Facebook’.

Ai tutje ka arsyetuar se largimin e Gërvalles dhe Kurtit nga seanca e Kuvendit.

“Zëvendëskryeministrja Gërvalla pati takim me ministrin e qeverisë së Izraelit, Esawi Frej i cili është në vizitë zyrtare në Kosovë. Kryeministri Kurti sapo përfundoi takimin me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, e cila po ashtu është në vizitë zyrtare në Kosovë. Menjëherë pas takimit, deri sa ishte rrugës për në Kuvend, kryeministri Kurti u njoftua se seanca është shtyer”.

Kuvendi i Kosovës.

“Besoj që të gjithë deputetët, e ndoshta më së miri ata që në kaluarën kanë qenë pjesë e ekzekutivit, e mirëkuptojnë se takimet e nivelit të tillë konfirmohen paraprakisht dhe nuk mund të shtyhen”.

Më 12 prill, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën po debatohej për politikën e jashtme.

Ajo është larguar nga seanca në momentin kur në foltoren e Kuvendit ishte duke folur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

“Zonja ministre unë i kisha disa pyetje dhe mendoj se është më e interes që të jeni këtu. Është për keqardhje, skandaloze që ministrja e jashtme Gërvalla para deputetëve e qytetarëve ikë nga punimet e këtij Kuvendit”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ndër të tjera, kryeparlamentari Glauk Konjufca, iu kundërpërgjigj duke thënë se ministrja e njoftoi se ka takim me ministrin e Izraelit.

Edhe shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka reaguar pas largimit të ministres duke thënë se që tri herë është shtyrë ky debat për faktin që nuk ishin prezentë kryeministri dhe ministrja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore