Lajme

Zëdhënësi i BE-së flet për Albanian Post rreth deklaratave të Glauk Konjufcës


“Nuk është zakon i joni, e as roli jonë, të komentojmë në skenarë të tillë me ‘nëse’”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kur është ftuar të komentojë deklarimin e Glauk Konjufcës, se qeveria e Vetëvendosjes “nëse kushtëzohet nga BE-ja”, do ta largonte ambasadën e vetë nga Jerusalemi.

“Do ta rishqyrtonim”, ka thënë Konjufca, ish-ministër i Punëve të Jashtme, kur u pyet për këtë çështje në një emision televiziv në Kosovë.

Stano nuk ka dashur të komentojë më gjatë specifikisht për deklarimin e Konjufcës. Ai ka folur për qëndrimin e Unionit në parim.

“Pozicioni i BE-së për çështjen e Jerusalemit është shumë mirë i njohur dhe u shpreh së fundmi si reagim ndaj veprimit konkret – hapjes së përfaqësimit diplomatik të Kosovës në Jerusalem”, tha Stano.

Më gjatë për potencialitetin e largimit të ambasadës nga Jerusalemi në një qeveri të mundshme Kurti 2, ka folur kryetari i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri.

Ai ka bindjen se edhe po të ndodhte një gjë e tillë, raportet e Kosovës me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të “prishen”.

“Asgjë nuk ndryshohet në raportet Kosovë-Izrael, ky raport ka vendosur themelin e vet dhe do të vazhdojë. Miqësia e Kosovës me Amerikën është shumë e fortë dhe asgjë nuk mund ta prishë”, potencoi Demiri.

Në fillim të këtij muaji është nënshkruar zyrtarisht lidhja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit nëpërmjet një ceremonie virtuale.

Njohja nga Izraeli vije si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjes së 4 shtatorit ne Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Izraeli është shteti 117 që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore