Lajme

Zbarkon në Doha avioni me 100 pasagjerë nga Afganistani


Një avion, i cili transportonte më shumë se 100 pasagjerë ndërkombëtarë jashtë Kabulit, u ul në Doha.

Ky është fluturimi i parë i tillë civil që nga evakuimi kaotik i 124 mijë të huajve që nga marrja e pushtetit nga ana e talebanëve.

Sipas zyrtarëve, rreth 113 persona ishin në bordin e fluturimit për në Doha, i operuar nga Qatar Airways në pronësi shtetërore.

Pasagjerët përfshinin shtetas amerikanë, britanikë, kanadezë, ukrainas, holandezë dhe gjermanë.

I dërguari special i Katarit, Mutlaq bin Majed al-Qahtani, e përshkroi fluturimin e së enjtes si të rregullt dhe jo një evakuim.

Ai bëri me dije se, të premten e 10 shtatorit, do të kishte një fluturim tjetër.

Në Doha, pasagjerët fillimisht do të qëndrojnë në një kompleks që strehon afganë dhe të evakuuar të tjerë.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, falënderoi talebanët dhe autoritetet e Katarit.

Gjithashtu e quajti fluturimin një “demonstrim konkret” të angazhimit amerikan për t’i ndihmuar qytetarët e tij dhe të tjerët që ndihmuan SHBA-të të vazhdojnë të largohen nga Afganistani.

Më herët, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Emily Horne, vlerësoi bashkëpunimin taleban në fluturim.

“Ata kanë treguar fleksibilitet dhe kanë qenë biznesmenë dhe profesionistë në marrëdhëniet tona me ta në këtë përpjekje”, tha ajo, duke shtuar se përpjekjet për të siguruar largime të mëtejshme do vazhdojnë.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Ned Price, tha se 10 qytetarë amerikanë dhe 11 banorë të përhershëm ishin në fluturim, nga “39 që i ftuam”.

Autoritetet kanadeze thanë se 43 nga qytetarët e saj ishin në aeroplan, ndërsa Britania e Madhe dhe Holanda kishin nga 13 në bord.

Një shtetas afgano-amerikan, që priste të niste fluturimi, tha se DASH e kishte telefonuar atë të enjten në mëngjes.

“Ne kontaktuam me Departamentin e Shtetit, ata më telefonuan këtë mëngjes dhe më thanë të shkoja në aeroport”.

Në ditët që pasuan, marrjen e talebanëve, aeroporti ishte bërë një simbol tragjik i dëshpërimit në mesin e afganëve të tmerruar nga rikthimi i militantëve në pushtet – me mijëra njerëz që grumbulloheshin çdo ditë rreth portave të tij dhe disa madje kapeshin pas avionëve kur fluturonin.

Largimi i miratuar nga talebanët të enjten vjen mes shqetësimit në rritje mbi situatën e përkeqësimit të shpejtë të të drejtave të njeriut nën sundimin e ri të grupit islamik, përfshirë këtu lirinë e shprehjes dhe të drejtat e grave.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i kërkoi të enjten bashkësisë ndërkombëtare të mbajë lidhjet me talebanët, duke paralajmëruar se një “kolaps ekonomik” me ndoshta miliona të vdekur duhet të shmanget.

“Ne duhet të mbajmë një dialog me talebanët, ku ne afirmojmë parimet tona drejtpërdrejt – një dialog me një ndjenjë solidariteti me popullin afgan”, tha ai.

“Detyra jonë është të shtrijmë solidaritetin tonë ndaj një populli që vuan shumë, ku miliona njerëz rrezikojnë të vdesin nga uria”.

Shefi i OKB-së tha se nuk kishte “asnjë garanci” për atë që mund të dilte nga bisedimet, porse diskutimet ishin të domosdoshme “nëse duam që Afganistani të mos jetë një qendër e terrorizmit, nëse duam që gratë dhe vajzat të mos humbasin të gjitha të drejtat e fituara gjatë periudhës së mëparshme, nëse duam që grupe të ndryshme etnike të jenë në gjendje të ndihen të përfaqësuara”.

Guterres shtoi se talebanët donin që njohja, mbështetja financiare dhe sanksionet të hiqeshin.

Ajo sugjeroi që, ashtu si në Jemen, është e mundur të parashikohet dhënia e “instrumenteve financiare” për Kabulin që nuk do t’u nënshtrohen sanksioneve aktuale.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore