Shqipëria

Zbardhen detaje nga vrasja e Ardian Nikulajt, e gjithë familja iu monitorua disa ditë


E gjithë familja e Ardian Nikulajt është ndjekur dhe monitoruar disa ditë përpara vrasjes së biznesmenit të njohur në zonën e Shëngjinit në Lezhë.

Janë këto detajet e fundit të zbardhura nga Policia e Shtetit, ku rreth dy javë përpara vrasjes, një mjet i llojit “Hummer” është konstatuar në hyrje të pedonales së Shëngjinit.

Prej atij mjeti, dy persona kanë dalë, të cilët kanë qëndruar për një kohë të gjatë në vendin e njohur si “Lapidari” dhe më pas janë larguar.

Nga ana tjetër, tre ditë përpara vrasjes së Nikulajt, një mjet i tipit “Golf” është konstatuar nga vëllai i viktimës, duke hamendësuar se ai po ndiqej.

Sa i takon vetë vrasjes së sipërmarrësit, e ndodhur më 19 prill, mendohet se tre persona kanë qenë përgjegjës.

Njëri, është pikërisht ai, i cili është publikuar edhe në media me pamjet nga kamerat e sigurisë dhe i cili e ka kryer konkretisht ekzekutimin.

Dy të tjerë, kanë pasur rolin e vëzhguesve, për të monitoruar çdo lëvizje të Nikulajt.

Ai u vra me armë zjarri të mërkurën në biznesin e tij në Shëngjin, në bar-restorant “Coral” në pedonalen e qytetit bregdetar, që është në pronësi të viktimës.

Një person hyri në ambientet e barit me skafandër motori në kokë dhe pasi qëlloi disa herë 50-vjeçarin.

Pamjet e publikuara në media tregojnë momentin kur autori i krimit, i ka drejtuar pistoletën Nikulajt, i cili qëndron i ulur në një nga tavolinat e barit.

Sipas dinamikës paraprake të ndërtuar nga grupi hetues, autori që qëlloi mbi biznesmenin, thuhet të ketë mbërritur në lokalin e Nikulaj, nga qyteti i Shkodrës.

Nikulaj ka pasur në pronësi disa hotele në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun.

Ai garoi si kandidat për deputet nën siglën e PSD-ës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ku mori 97 vota dhe në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003 dhe më 1 dhjetor 2006 për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu në formular rezulton se Nikulaj ka mbiemrin e ndryshuar.

Në këto zgjedhje ndërkaq, ai ishte renditur i 23-ti në listën e PSD-së për Këshillin Bashkiak të Lezhës.

Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së vrasjes së biznesmenit, nëse kemi të bëjmë me një atentat, apo nëse kemi të bëjmë me një vrasje për motive politike.

Dikur Xhuvani, sot Nikulaj – Ku ngjajnë dhe ndryshojnë vrasjet në periudhë zgjedhore?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore