Shqipëria

Dikur Xhuvani, sot Nikulaj – Ku ngjajnë dhe ndryshojnë vrasjet në periudhë zgjedhore?


Është utopike tashmë të mendohet një periudhë reale zgjedhore në Shqipëri, pa nënkuptuar se doemos në harkun kohor të fushatës elektorale, do të ketë në të vrasje të lidhura (ose jo) me kontekstin politik.

Edhe nëse ato vetë nuk e mbartin ndoshta thelbin e klimës elektorale, përdorimi i tyre bëhet i domosdoshëm, me gjuhë të ashpër nga aktorët kryesorë politike, në dobi të agjendave zgjedhore, për të “krimbur” elektoratin me një fenomen të patjetërsueshëm dhe të frikshëm në zhbërjen e kundërshtarit.

Më 21 prill 2021, kohë kur në lojë ishte pushteti qendror, do të tronditej Elbasani, me vrasjen e një eksponenti të politikës së majtë, Pjerin Xhuvanit, nga një grup i ngritur për “mbrojtjen e votës”, nga ana e Partisë Demokratike.

Autor do të ishte Arbër Paplekaj, i cili kishte për rol të shoqëronte Gazment Bardhin, deputet demokrat në qarkun e Elbasanit.

Thuajse ekzaktësisht dy vjet më vonë, më 19 prill, radhën e kanë zgjedhjet vendore dhe me fillimin e fushatës zgjedhore, krimi godet sërish, ku viktimë është Ardian Nikulaj, një biznesmen shumë i njohur në zonën e Lezhës, kryesisht Shëngjinit.

Nikulaj, me gjakftohtësi, ekzekutohet nga një person, i cili me kokore dhe madje kirurgjikale hyn në restorantin e biznesmenit dhe me shtatë qitje të koordinuara mbi trupin e sipërmarrësit, e lë këtë të fundit të vdekur.

Një ngjarje e cila edhe nëse nuk ka sfond politik, si e tillë reflektohet, pasi Nikulaj ka qenë dikur kandidat për deputet në zonën e Lezhës.

Ku ngjasojnë ngjarjet?

Ato fillimisht marrin kontekstin zgjedhor, për periudhën në të cilën ndodhin.

Të dy viktimat, pjesë e politikës, por jashtë saj aktivisht në kuptimin e pjesëmarrjes të drejtpërdrejtë në poste të caktuara.

Po ashtu, të dy viktimat, të ardhur nga një sfond i majtë politik, njëri ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan i kaluar tek Partia Socialiste (Xhuvani) dhe tjetri ish-kandidat i Partisë Socialiademokrate të Tom Doshit.

Po ashtu, përdorimi për fushatë elektorale, është i qartë.

Në vitin 2021, ishin socialistët, ata të cilët vrasjen e Xhuvanit e narrativizuan drejt “së keqes së djathtë”, e cila në periudhë zgjedhore, kishte marrë një jetë njeriu të pafajshëm, vetëm katër ditë përpara votimeve.

Ndërsa, në kontekstin e sotëm, në rrethanat e vrasjes së Nikulajt, janë demokratët, ata të cilët po e shfrytëzojnë situatën.

Përtej faktit se nuk dihet nëse krimi ka apo jo sfond politik, nga radhët e opozitës (kampit Berisha, PD-së zyrtare, Partisë së Lirisë), po përshkruhet si e tillë, duke etiketuar pushtetin e majtë si fajtor për çfarë ndodhi.

Ku ndryshojnë?

Pikë së pari, në faktin se është e konfirmuar që në rastin e Xhuvanit, vrasja ka krejtësisht sfond politik, në gjaknxehtësi e sipër, pas disa konstatimeve të demokratëve, për shkelje të pretenduara zgjedhore.

Nga ana tjetër, vrasja e Nikulajt nuk mund të thuhet me siguri se ka kontekst politik, pavarësisht profilit të sipërmarrësit.

Ai ishte një figurë e njohur dhe problemet me botën e krimit, nuk janë përjashtuar nga hetimet paraprake.

Po ashtu, ngjarja në këtë rast është e ndodhur në mënyrë të kontrolluar dhe gjakftohtë, e përllogaritur në çdo detaj, me saktësi milimetrike për qitësin ekzekutues me pistoletë.

Një tjetër aspekt ku gjithçka ndryshon, është edhe identifikimi dhe kapja e autorëve, ku për rastin e Elbasanit, gjithçka u zhvillua shumë shpejt, në pak orë, me kapjen e autorit të vrasjes dhe të gjithë dëshmitarëve.

Teksa, në rastin Nikulaj, ende pak dihet, me një motor të bllokuar për dyshime se është përdorur në ngjarje, dhe me shumë pikëpyetje për gjithçka ka ndodhur dhe pse ka ndodhur.

Krimi tronditës

Ajo ku shumica pajtohen gjithsesi, mbetet fakti se krimi është tronditës.

Për analistin politik Fatos Lubonja, në këtë krim mungon krejtësisht humanizmi më minimal, pasi ai është zhvilluar nga një vrasës me pagesë.

Gazetari Robert Rakipllari, po ashtu mendon se pamjet e transmetuara në media, të cilat pasqyrojnë vrasjen, janë të tmerrshme dhe krimi në këtë rast, ka marrë përmasa të mëdha, “përtej çdo imagjinate”.

Një mendim rreth kauzës politike e ka edhe publicisti Mero Baze, për të cilin akuzat e ish-kryeministrit Berisha, karshi të majtëve, për vrasjen e Nikulajt, nuk qëndrojnë, për shkak të së shkuarës kriminale që viktima ka pasur.

“Interesi i tij (Berishës) është fakti që atë ndikim të vogël elektoral që mendon se ky person e ka pasur në Lezhë, duke akuzuar qeverinë, shpresojnë që ky fluks votash të kalojë në krahun e tyre për t’u faktorizuar dhe për të krijuar idenë e një fushate elektorale që po nis me vrasje”, përshkruan situatën Baze.

Ndërsa, për deputetin demokrat, Tomor Alizoti, treguesi më i qartë i gjithë ndodhisë, është fakti se shteti, është në krizë, kur mafia kombinohet me politikë.

“Në Shqipëri ka arritur kulmin e saj. Këto pamje në Shqipëri janë bërë normale. Ka ekzekutime ka shpërthime në mes të ditës”, përmbledh Alizoti shkurtimisht, sa i takon situatës.

E vërteta e të vërtetave ndërkaq, mbetet një dhe e vetme: Dy gjëra janë të sigurta në fushatat zgjedhore në Shqipëri, e para e padëmshme, por e nuhatshme (asfalti elektoral) dhe e dyta, tronditëse dhe e pakapërdishme (vrasjet).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore