Lajme

Zaporizhzhia është pranë tragjedisë fatale, thotë kryebashkiaku


“Sigurisht jemi të shqetësuar. Jemi shumë të shqetësuar”.

Kryebashkiaku i Zaporizhizhias, qytetit ukrainas ku ndodhet centrali bërthamor më i madh në Evropë, ngre alarmin e madh se rreziku rus është i pranishëm çdo ditë, me predha që i fluturojnë sipër kokës dhe se rreziqet, janë shumë të mëdha.

Anatolii Kurtiev, është prej shtatë muajsh kryebashkiak në Zaporizhzhia.

Me të, janë takuar disa gazetarë italianë pak pasi drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, ka kërkuar hyrjen urgjente të inspektorëve në central, duke lënë të nënkuptojë se riparime të menjëhershme duhet të kryhen aty.

“Situata është shumë e rëndë”, deklaroi Kurtiev. “Për tani gjërat janë ende nën kontroll, por potencialisht dramatike. Është centrali bërthamor më i madh në Evropë dhe trupat ruse e kanë uzurpuar që nga ditët e para të marsit e që atëherë, i vendosin ata rregullat”.

Duke theksuar se pak mund të bëhet nga ukrainasit në këtë çast, kryebashkiaku 46-vjeçar nënvizoi edhe faktin se disa teknikë kanë mbetur në qytet, por shumica janë larguar.

Për ata që kanë mbetur, po ashtu, është shumë e vështirë të punohet aty.

“Punonjësit i kanë armët të drejtuara”, vijoi më tej ai. “Ushtarët rusë janë të armatosur dhe sillen si një ushtri pushtuese”.

Megjithatë, ajo çfarë është më shqetësuese sipas Kurtiev, është fakti se numri i punonjësve nuk është i mjaftueshëm për të monitoruar gjithë punën në impiant. Për këtë arsye, ata detyrohen të kryejnë turne të jashtëzakonshme dhe masakruese, duke mos pasur kohë të pushojnë.

E prapë se prapë, rreziku më i madh mund të vijë nga predhat që i kalojnë mbi kokë, pasi Rusia, vijon ofensivën, pa marrë parasysh pozitën e Zaporizhzhias.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore