Shqipëria

Yuri Kim kërcënon “minuesit e vetingut”: Nuk jeni aq të fshehur sa mendoni


Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, ka lëshuar një kërcënim të qartë, për personat, të cilët ajo i emërton si “minues të Reformës në Drejtësi”, duke parashtruar se “veprimet e tyre nuk janë aq të fshehta sa mendojnë”.

“Ndërkohë që reforma po fillon të prodhojë gjithnjë e më shumë rezultate, kundërshtarët e saj, sa vjen e po kërkojnë të ndërmarrin veprime minuese ndaj saj”, shkruan Kim në Twitter.

Sipas diplomates amerikane në Shqipëri, këto veprime lidhen me kërcënimet, intimidimet, korrupsionin dhe duhet të ndalojnë.

“Veprimet tuaja nuk janë aq të fshehta sa mendoni ju”, parashtron Kim.

Sipas saj, Amerika dhe në veçanti presidenti Joe Biden, e ka bërë të qartë në Memorandumin e Studimit mbi Sigurinë Kombëtare të qershorit 2021, se lufta ndaj korrupsionit është në themel të sigurisë kombëtare dhe interesave amerikane.

“SHBA-të do të vijojnë të mbështesin fuqimisht implementimin e Reformës në Drejtësi”, përmbyll postimin Kim.

Reforma në Drejtësi, është edhe një prej investimeve më të mëdha amerikane në dekadën e fundit.

Prej vitesh, të gjithë ambasadorët amerikanë, të cilët kanë ushtruar mandatin e tyre në Shqipëri, e kanë emërtuar atë në drejtësi, si reformën “më të rëndësishme” në Shqipëri.

Falë procesit të njohur si vetingu i gjyqtarëve, me dhjetëra të tillë janë shkarkuar nga detyra, pasi u janë gjetur shkelje të profesionit dhe etikës në detyrë.

Megjithatë, vetëm e fundit, reforma ka filluar të japë fryte në hetimin e funksionarëve të lartë ose ish-funksionarëve të shtetit, ku në procese hetuese e gjykuese janë përfshirë edhe ish-ministra apo ish-prokurorë.

Rasti më i bujshëm ka qenë ai i ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, i cili pas përcaktimit si persona non grata nga SHBA-të, u dënuar edhe me burgim nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Megjithatë, në çastin e arrestimit, Llalla nuk u gjend në banesë dhe më pas u raportua se ai gjendej në Itali, duke mos lejuar kështu kryerjen e urdhër arrestit dhe duke e vendosur në listën e Interpolit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore