Shqipëria

Xhaçka nga Brukseli: Caktimi i konferencës ndërqeveritare, e vetmja rrugë për të ruajtur fuqinë e BE-së në rajon


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të hënën e 16 majit ka marrë pjesë në takimin informal të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian me homologët e Ballkanit Perëndimor, në Bruksel.

Kjo u zhvillua me ftesë të përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.

Takimi pati si qëllim zhvillimin e një debati strategjik mbi Ballkanin Perëndimor, mes ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sfidat e reja të krijuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

Në fjalën e saj Xhacka evidentoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian, si edhe përkushtimin e qeverisë shqiptare në zbatimin e mëtejshëm të reformave të lidhura me agjendën evropiane.

Siptas Ministres Shqipëria është një aleate dhe partnere e besueshme e BE-së, përsa i përket politikës së jashtme dhe të sigurisë. Ajo është e linjëzuar plotësisht me vendimet dhe deklaratat e BE-së në këtë fushë.

Gjatë ndërhyrjes së saj Kryediplomatja theksoi gjithashtu se mënyra se si Shqipëria ka reaguar ndaj situatës aktuale gjeopolitike i ka ngritur edhe më tej vlerat vendit tonë në sytë e partnerëve euro-atlantikë.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk duhet lejuar të shndërrohet në një dëm kolateral të krizës në Ukrainë, por duhet të përfshihet në iniciativat e përbashkëta evropiane për zgjidhjen e sfidave që dalin përpara”, vijoi Xhaçka në fjalën e saj.

Ndërkohë, vendimi për caktimin e datës së konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, sipas Xhaçkës, do të ishte e vetmja rrugë për të ruajtur fuqinë transformuese të BE-së në rajon, për të mbajtur lart mbështetjen qytetare ndaj procesit të integrimit, si dhe për të rritur aftësitë për t’u përballur me ndikimin e aktorëve të tretë.

Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e marrëdhënieve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ata u dakordësuan rreth faktit se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE është prioritet dhe një investim i rëndësishëm sigurie, ekonomik dhe gjeostrategjik.

Gjatë kësaj dite Xhaçka, ka zhvilluar një takim me komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë të BE-së, Oliver Varhelyi, ku është folur për rrugën shqiptare të integrimit të union.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore