Shqipëria

Xhaçka: Korniza negociuese Shqipëri – BE, brenda 6 mujorit të parë


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, ka njoftuar të shtunën në një intervistë për Klan TV, se në gjashtë mujorin e parë të 2021-shit, pritet të miratohet korniza negociuese mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe Konferenca e Parë Qeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkim Evropian (BE).

“Korniza negociuese dhe Konferenca e Parë Qeveritare që do të lançojë negociatat mes nesh dhe BE-së, do të bëhen në gjashtë mujorin e parë”, deklaroi ajo.

Sipas Xhaçkës, Qeveria ka zhvilluar bashkëbisedime me komisionerin për Zgjerimin dhe ministrin e Jashtëm portugez, i cili është shprehur pro kësaj mundësie.

“Në fjalët e ministrit të Jashtëm portugez, kjo nuk është plotësisht e merituar vetëm për shkak të reformave të marra nga Shqipëria dhe kushteve të plotësuar, por është edhe çështje kredibiliteti i BE-së.

Gjatë intervistës, Xhaçka ka bërë të ditur dhe prioritetet tjera të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) gjatë vitit 2021.

“Kandidatura për një vend jo të përhershëm për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për vitin 2022- 2023, na mundëson bashkëveprimin me aleatët tonë, të rëndësishëm strategjik”, thekson ajo.

Një tjetër prioritet e MEPJ-ës, është dhe reformimi i shërbimit diplomatik. Sipas saj, është ngritur një grup nga ambasadorë dhe diplomatë për të analizuar pikat e forta dhe të dobëtat e diplomacisë shqiptare.

Xhaçka ka deklaruar gjithashtu se nga gjysma e dytë e këtij viti, Shqipëria do te jetë pjesë e 15-shes në Këshillin e Sigurimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore