Lajme

“Washington Post”: Rusia po përgatit ofensivë kundër Ukrainës me rreth 175 mijë trupa


Pjesëtarë të ushtrisë ruse

Sipas mediumit amerikan “Washington Post”, Rusia është duke përgatitur ofensivë masive kundër Ukrainës.

Mediumi amerikan thotë se Rusia në këtë ndërmarrje ushtarake do të përfshijë deri në 175 mijë trupa ushtarake, ndërsa kjo do të “ndodh” në vitin e ardhshëm.

“Moska po përgatitet të nisë një ofensivë me ‘100 batalione të përbëra nga grupe taktike me forcë të vlerësuar prej 175.000 personave, ndërsa ofensiva do të përfshijë tanke, artileri dhe pajisje të tjera’, deklaroi një funksionar i lartë i amerikan për gazetën “Washington Post”.

Pentagoni nuk pranoi të komentonte raportin, por tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga “planet agresive të Rusisë kundër Ukrainës”.

“Ne vazhdojmë të mbështesim uljen e tensioneve në rajon dhe zgjidhjen diplomatike të konfliktit në Ukrainën lindore”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Toni Semelrot.

Forcat ruse tani po përqendrohen në katër lokacione të ndryshme me 50 grupe taktike luftarake, lajmëroi “Washington Post”, duke cituar një dokument ushtarak amerikan.

Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, Joe Biden dhe Vladimir Putin, do të diskutojnë për tensionet mbi Ukrainën përmes një video-konference e cila pritet të mbahet së shpejti.

Kjo video-konferencë do të ndodhë pas shtatë vitesh të aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia dhe kryengritjes së separatistëve pro-rus në Ukrainën lindore.

Ndërsa Rusia menjëherë pas lajmit të “Washington Post”, ka thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e tyre për një sulm të mundshëm rus në Ukrainë, duke akuzuar Uashingtonin se po përpiqet t’i përkeqësojë gjërat.

“Shtetet e Bashkuara po kryejnë një operacion të posaçëm për të përkeqësuar situatën në lidhje me Ukrainën dhe po ia transferojnë përgjegjësinë Rusisë,” citoi gazeta Kommersant të ketë thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharov.

SHBA-të dhe aleatët e saj në NATO dhe Ukraina akuzojnë Moskën zyrtare për grupim të forcave të sigurisë pranë kufirit me Ukrainën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore