Kosova

Vuletiç: ShBA-ja dhe BE-ja të tregojnë autoritet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit


Vladimir Vuletiç

Sociologu serb, Vladimir Vuletiç, është shprehur këtë të marte se pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian “të tregojnë autoritet të mjaftueshëm”, në mënyrë që të zbatohet marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në të kundërtën, sipas tij “do të ketë përshkallëzim të situatës në Kosovë”.

“Ne dëshmojmë se ende nuk ka konsensus për këtë çështje të rëndësishme kombëtare, edhe në vetë Serbinë. Ekziston një lloj dallimi i rëndësishëm në mënyrën se si të zgjidhet problemi i Kosovës”, tha ai për Tanjug.

Tutje, ai tha se “ekziston një rrymë që mbron përfundimin e plotë të çdo bisedë për një politikë të ashpër të Serbisë ndaj Kosovës”, e që sipas tij kjo “nuk dihet saktësisht se çfarë do të thotë”.

“Në anën tjetër, ju keni përpjekje që disi ta përfundoni këtë gjë duke e lënë Serbinë të heqë dorë nga Kosova”, pretendon ai.

Ndryshe, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Unioni insiston që Kosova dhe Serbi të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve të dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja.

Stano duke u përgjigjur në pyetjet rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se do t’i zbatojë vetëm disa pjesë të Marrëveshjes, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes përfshirë edhe aneksin.

Duke u përgjigjur në pyetjen se “a është e vdekur Marrëveshja, pasi njëra palë thotë se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj”, zëdhënësi i BE-së ka thënë se “Marrëveshja është gjithsesi e gjallë dhe në lëvizje“.

Sipas tij, zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare.

Mes tjerash, Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“ ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore