Lajme

Vuçiç: Marrëveshja që arritëm është akoma më e mirë se ajo që ishte para dy ditësh në tavolinë


Takimi i fundit i lidereve ne Bruksel

Të hënën Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç kishin një propozim për marrëveshje në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Propozimi thoshte se Kosova mund të vazhdojë me masën e qortimit për targat ilegale, por të mos impelemtojë masën e gjobave, kurse Serbia nuk duhet të lëshojë targa të reja me inicialet e qyteteve të Kosovës.

Kosova nuk e pranoi.

Pas dy ditësh, u arrit marrëveshje, por Kosova hoqi dorë edhe nga masa e qortimit, derisa pjesa tjetër mbeti e njëjtë, prandaj presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi këtë të enjte para mediave në Serbi se “dy ditë më parë Prishtina kishte marrëveshje më të mirë në tavolinë sesa ajo që u arrit”.

Për vetë Vuçiç-in, më me rëndësi se gjithçka tjetër brenda marrëveshjes, është fakti – siç tha ai – “se marrëveshja parasheh përmbushjen e marrëveshjeve të mëparshme”, çka nënkupton edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Megjithëse në akordin e arritur mes zëvendës-kryeministrit Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb në dialog, Petar Petkoviç, nuk thuhet saktësisht se “palët pajtohen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, por thuhet se “palët e kuptojnë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në Dialog”, Vuçiç pohon se kaq mjafton.

Ai u tha serbëve se “një situatë e ndërlikuar na pret”, por që “përfaqësuesit evropianë dhe SHBA-të janë treguar shumë racionalë në zgjidhjen e problemeve me targat”.

“Është plotësuar një kusht, që të mos ketë gjoba, të mos ketë konfiskim të veturave dhe targave, ju keni një kusht tjetër – formimin e Asociacionit. Kur të formohet Asociacioni do të kalojmë në diçka tjetër”, deklaroi presidenti serb.

Pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova u pajtua që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Paraprakisht, edhe Serbia ishte pajtuar që të mos lëshojë targa të reja me inicialet “KM” e të ngjashme.

“Kemi marrëveshje”, shkroi krye-diplomati evropian, Josep Borrell në Twitter, kur njoftoi arritjen e pajtimit.

“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba, tabela provuese dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore