Lajme

Vuçiç i kundërpërgjigjet ambasadorit amerikan për armatimin e Serbisë: “Deklarimi i tij është i çuditshëm”


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i është kundërpërgjigjur ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Anthony Godfrey, i cili në një intervistë tha se “po të isha qytetar i rajonit, do të shtroja pyetjen se pse Serbia shpenzon aq shumë para në armatim, dhe jo në infrastrukturë”.

“Ne nuk jemi kërcënim i askujt, por duke fuqizuar ushtrinë tonë, ne kufizojmë kërcënimet e të tjerëve ndaj neve dhe për këtë arsye u çudita shumë nga deklarata e ambasadorit amerikan”, deklaroi Vuçiç, transmeton Tanjug.

Vuçiç tha se “gjithmonë e kam konsideruar Godfrey-n njeri korrekt dhe mik të vendit tonë, prandaj pohimi i tij po më çudit”.

“Hungaria dhe Bullgaria, vende me të cilat kemi raporte miqësore janë të armatosura ma kapacitete të konsiderueshme, por mua më intereson të di se pse ambasadori i ShBA-së në Kroaci nuk shtron pyetjen se si do të reagojë Serbia kur Amerika i dhuron atyre 16 helikopterë dhe raketa që mund të fluturojnë përtej kufijve”, deklaroi Aleksandër Vuçiç.

Sipas Vuçiç, Serbia nuk po shkel asnjë marrëveshje rajonale për armatim, “sepse shumica e blerjeve janë të armëve të llojit mbrojtës”.

“Kjo është arsyeja pse ne tani kemi aeroplanë luftarakë të gjeneratës 4+. Jemi afër fundit të marrjes së vendimit përfundimtar për blerjen e avionëve shtesë luftarakë dhe gjuajtës-bombardues, si dhe sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, sepse ne pengojmë këdo që mendon duke rrezikuar vendin tonë”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se “është gabim që ambasadori i një vendi që shpenzon 770 miliardë dollarë për ushtrinë të flasë për armatosjen e Serbisë, që është 650 herë më shumë se Serbia”.

Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, në një intervistë dhënë për Tv Prva tha se Shtetet e Bashkuara nuk është se e shohin Serbinë si kërcënim, por janë të interesuara se si e perceptojnë Serbinë vendet fqinje, nëse pyesin se cilat janë qëllimet e Beogradit dhe pse shpenzon para për armë dhe jo për infrastrukturë apo energji.

“Është koha për të investuar në infrastrukturë dhe jemi krenarë për bashkëpunimin që ka Serbia me Shtetet e Bashkuara në atë fushë, edhe pse jemi të kënaqur që së fundmi kemi pasur një stërvitje të përbashkët ushtarake të njësive parashute. Por mendoj se prioriteti është që Serbia të jetë një partner i fortë ekonomik i vendeve fqinje”, përfundoi Godfrey.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore