Lajme

Vuçiç i ankohet Borrell-it për Kurtin: Kam frikë se BE-ja s’do të përdorë mekanizma realë për të ndalë provokimet


Aleksandër Vuçiç dhe Josep Borrell

Presidenti i Serbisë, Aleksnadër Vuçiç, ka njoftuar të shtunën se në margjinat Konferencës së Sigurisë së Munihut, ka takuar shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të deleguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, Vuçiç ka njoftuar se tema kryesore e takimit mes tij dhe ndërmjetësuesve të procesit të dialogut ka qenë pikërisht Kosova dhe sipas tij, “përpjeka e Kurtit për të kryer në heshtje spastrim etnik të serbëve”.

“Kam frikë se BE-ja nuk do të përdorë mekanizma realë për ta detyruar Kurtin të heqë dorë nga provokimet dhe sulmet e përditshme ndaj serbëve”, ka shkruar ai.

Ndryshe me Borrell e Lajçak, të premten, u takua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në takimin mes Kurtit, Borrellit e Lajçak-ut është diskutuar procesi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, siç thuhet në komunikatë për media ka theksuar edhe shkeljet e vazhdueshme që Serbia po bën Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Shefi i ekzekutivit në takim ka kërkuar edhe heqjen e masave ndëshkuese, të cilat i ka cilësuar si të padrejta nga BE-ja.

Josep Borrell, Donika Gërvalla dhe Albin Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore