Shqipëria

Vrasja e kamarierit në Elbasan, Prokuroria mbyll hetimet/ Dosja çohet për gjykim


Prokuroria e Elbasanit ka njoftuar se ka përfunduar hetimin për konfliktin e punonjësit të një restoranti mes një klienti, ku ky i fundit e goditi me grusht. Më vonë ai ka humbur jetën në spital.

Ndërkohë prokuroria e ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan, duke kërkuar masën e sigurimit “arrest me burg” për Erjon Llapushin dhe Luan Dulellarin.

Llapushi akuzohet për veprën penale “vrasje me dashje” ndërsa Dulellari për “moskallëzim krimi” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

Viktimë mbeti Gazmend Kormaku, punonjës i restorantit në Labinot, Elbasan. Konflikti ka ndodhur në datën 2 tetor të vitit të kaluar dhe ai humbi jetën pesë ditë më vonë.

Si ndodhi ngjarja?

Llapushi kishte mbërritur në ambientin e restorantit dhe ishte ulur në një tavolinë.

Kryekamerieri, i ndjeri Kormaku, i ka kërkuar të ndërrojë vend pasi tavolina ishte e rezervuar.

Por, Llapushi ka refuzuar kërkesën e Kurmakut dhe në debat e sipër e ka kapur për qafe duke e goditur.

Për pasojë Kormaku pësoi “vdekje klinike” në spital.

Autori ishte një person që njihej për aktivitete kriminale, dhunë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore