Lajme

‘Vrasësit e Khashoggi-t jetojnë në vila, dhe jo në burg’


Britanikja “The Guardian” i ka kushtuar një artikull vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Sipas saj, të paktën tre anëtarë të një skuadre saudite të dënuar nga Mbretëria për vrasjen e tij po jetojnë dhe punojnë “në një banesë me shtatë yje” brenda një kompleksi sigurie të drejtuar nga qeveria në Riad.

Vrasësit besohet se po qëndrojnë në vila dhe ndërtesa të drejtuara nga Agjencia e Sigurimit të Shtetit të Arabisë Saudite – larg mureve të burgjeve të saj famëkeqe.

Burimi i “The Guardian” ka folur me dy dëshmitarë që pretendojnë se i kanë parë vrasësit.

Ata thanë se anëtarët e familjes i vizitojnë shpesh burrat, të cilët janë në gjendje të përdorin një palestër dhe hapësirat e punës në vend.

Të gjithë u dënuan para një gjykate saudite, në një gjyq të cilësuar gjerësisht si mashtrim.

Disa morën dënime me vdekje, të cilat, më vonë u ndryshuan në burgim të përjetshëm.

Të dy dëshmitarët e kanë vizituar kompleksin në disa raste gjatë dy viteve të fundit.

Ata thonë se burrat ishin të qetë dhe dukej se po kryenin detyra normale.

Sipas burimit të inteligjencës, vizitorët, duke përfshirë furnizues ushqimesh, kopshtarë, teknikë dhe anëtarë të familjes, shkojnë shpesh në kompleks.

Për herë të fundit Khashoggi u pa në tetor 2018, duke hyrë në Konsullatën Saudite në Stamboll. Vrasja e tij, për të cilën zyrtarët turq morën një regjistrim audio, pengoi marrëdhënien SHBA- Arabi Saudite.

Dy javë pas zhdukjes së Khashoggi, Arabia Saudite pranoi se ai ishte vrarë nga agjentët e mbretërisë, por ajo vazhdon të mohojë që princi i kurorës ishte i përfshirë.

Raporti i fundit i SHBA-së, që bazohet në një vlerësim të CIA-s, të lëshuar një muaj pas vrasjes së Khashoggit, zbuloi se Mohammed me shumë gjasa urdhëroi vrasjen.

Kush ishte Jamal Khashoggi?

Ai ishte një gazetar dhe analist politik i njohur saudit. Ai vinte nga një familje me emër dhe, në fillim, mbante lidhje të ngushta me familjen mbretërore saudite.

Me kalimin e kohës u bë më kritik ndaj politikave të qeverisë.

Veçanërisht kritikat lidheshin me princin Mohammed bin Salman, udhëheqësin de facto të mbretërisë. Më vonë, ai la Arabinë Saudite dhe u zhvendos në SHBA.

Si u vra ai?

Shkrimet e Khashoggi-t patën kosto për të.

Ai u divorcua dhe u nda nga familja, e cila jetonte në Arabinë Saudite.

Gazetari përfundimisht vendosi të martohej përsëri dhe të vendosej me të fejuarën e tij turke në Stamboll. Për të shpallur martesën, iu deshën disa vërtetime nga Konsullata Saudite në Turqi.

Kështu, në fund të shtatorit 2018, shkoi në konsullatë dhe u udhëzua të kthehej disa ditë më vonë për të marrë dokumentet.

Kjo nisi një zinxhir veprimesh nga autoritetet saudite, të cilat kulmuan me vrasjen e Khashoggi-t.

Sipas hetuesve të SHBA-së, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara, me siguri u drejtuan nga princi i kurorës.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore