Lajme

Votimi me kusht, i mundshëm vetëm brenda komunës ku qytetari është i regjistruar


Ilustrim

Votimi me kusht është i mundshëm vetëm brenda komunës ku personi është i regjistruar si votues ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi.

Elezi ka dhënë edhe sqarime të tjera rreth votimit me kusht, për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën e 17 tetorit në Kosovë.

“Është e nevojshme të sqarojmë se votimi me kusht është i mundur për një votues vetëm brenda komunës ku ai është i regjistruar si votues. Votimi me kusht nuk është i mundur nga njëra komunë në tjetrën. Pra, votuesi i një komune nuk mund të votojë në komunën tjetër”.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi

Rrjedhimisht sipas Elezit, kjo i bije që votimi me kusht nuk është i mundshëm nga një komunë në tjetrën.

Zëdhënësi i KQZ-së gjithashtu ka thënë se zgjedhjet lokale dallojnë nga ato nacionale.

“Për dallim nga Zgjedhjet për Kuvend në të cilat e gjithë Republika e Kosovës është një zonë zgjedhore, në Zgjedhjet Lokale çdo komunë është një zonë e veçantë zgjedhore dhe në vendvotimet e asaj zone ka fletëvotime vetëm të asaj komune”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore