Lajme

Votimi i Asamblesë Parlamentare, Osmani: Moment historik në rrugëtimin evropian të Kosovës


Vjosa Osmani

“Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian”, ka thënë Vjosa Osmani.

Këto komente, Presidentja e Kosovës i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e  përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë”, shkroi Osmani.

E para e vendit ka falënderuar nga zemra të gjithë ata që nëpërmjet votë për mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe “kauzën tonë për të drejta të njeriut”.

“Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike!”, theksoi ajo, duke shtuar “edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë!”.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, para pak çastesh, ka votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se jemi edhe një hap larg anëtarësimit.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, potencoi ai.

“Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve”, përfundoi Kurti.

Ndërsa, më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rrëzuar amendamentin e deputetëve serbë përmes të cilit kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për pranimin e Kosovës në KiE, derisa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, është rrëzuar edhe amendamenti i propozuar nga deputetët italianë të cilët kanë propozuar që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës.

Ndryshe, Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Asambleja Parlamentare e KiE-së voton pro anëtarësimit të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore