Lajme

“Vonë për të ndryshuar aneksin e Ohrit”: Serbia s’do mund ta shmangë hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, vlerësojnë ekspertët


Foto nga arkivi: Takimi në Ohër më 18 mars

Analistët e çështjeve politike, përkatësisht atyre të integrimeve evropiane, në Serbi duke folur për njoftimin e zyrtarëve evropianë se të gjitha marrëveshjet e dakorduara mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë atë të Ohrit (aneksi i Marrëveshjes Bazë, më 18 mars), që flitet për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtar, do të përfshihen në kapitullin 35-të të negociatave mes Serbisë dhe BE-së, kanë thënë se pajtohen se ky është një sinjal i qartë nga Unioni dhe se të dyja palët duhet të përmbushin atë që kanë pranuar.

Nemanja Todoroviç Shtiplija, analist politik në Serbi, ka theksuar se autoritetet serbe duhet që të mësojnë që të respektojnë ato zotime që i kanë dhënë BE-së.

“Nëse në mars e kanë pranuar marrëveshjen dhe aneksin e marrëveshjes që do të përfshihet në kapitullin 35… këtë sjellje e shoh ekskluzivisht për përdorim të brendshëm”, thotë Shtiplija për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”, pas sinjaleve të autoriteteve serbe se nuk do ta zbatojnë në tërësi Marrëveshjen Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, para disa ditëve, duke folur për paralajmërimet se Marrëveshja e Ohrit do të bëhet pjesë e kapitullit të 35, kishte thënë se nuk e mendon e njëjta mund të bëhet pjesë e këtij kapitulli në tërësi, pasi që, sipas tij, në këtë mënyrë BE-ja do t’ia mbyllte derën Serbisë.

“Nuk mendoj se është e mundur që (Marrëveshja e Ohrit) në tërësi të jetë pjesë e kapitullit 35 të negociatave, sepse kjo do të mbyllte derën për Serbinë. Nëse thoni se anëtarësimi i Kosovës në OKB është pjesë e atij kapitulli, atëherë është e qartë se nuk e dëshironi Serbinë. Nuk besoj se është e mundur dhe nuk besoj se do të marrin një vendim të tillë”, thoshte Vuçiç.

Mirëpo, sipas njohësit të zhvillimeve politike Dragoslav Raseta nga Rruga e Tretë e Re në Serbi, Beogradit nuk i kërkohet vetëm njohja de facto e Kosovës, “por Aneksi flet për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, fatkeqësisht është tepër vonë për ta ndryshuar këtë”.

“Nuk do të mund të shmangen disa dispozita, siç është pranimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Do të shohim se cila do të jetë strategjia e autoriteteve serbe pas zgjedhjeve, a do të ndryshojë”, thotë Raseta.

Akorduar me 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb Vuçiç, ishte në fakt aneks sqarues për atë që ishte arritur në Bruksel me 27 shkurt ku përmes 11 neneve Bashkimi Evropian e ShBA-të besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore