Lajme

Vitia: Fokusi im është në Ministrinë e Shëndetësisë


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se planifikon që të qëndrojë në këtë post deri kur në Kosovë të ketë rezultate të mira në përballjen me pandeminë.

Edhe pse është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e kryeqytetit, ka thënë se 17 tetori nuk do ta gjejë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, por që deri atëherë do të bëjë maksimumin për menaxhimin e pandemisë.

“Unë jam në Ministrinë e Shëndetësisë dhe i gjithë fokusi im është në Ministrinë e Shëndetësisë, derisa të jenë rezultatet e mira në raport me pandeminë. Ta keni parasysh që 17 tetori natyrisht që nuk do të më gjejë si ministër të Shëndetësisë, por deri në atë kohë do ta bëjë maksimumin ashtu siç jam duke bërë tani”, ka deklaruar Vitia.

Lidhur me procesin e vaksinimit, ministri i Shëndetësisë ka thënë se do të shtohen ekipet dhe nëpër komunat e tjera të Kosovës.

“Procesi i vaksinimit po shkon mirë, komunat kanë shprehur gatishmërinë për të shtuar numrin e ekipeve të vaksinimit, por natyrisht për shkak edhe të logjistikës, për shkak edhe të sistemit të regjistrimit e-Kosova”.

Mirëpo tha se “Kjo po shkon në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe natyrisht që kjo merr kohë, mirëpo me ritmin qysh jemi duke u vaksinuar tani dhe me interesimin e qytetarëve, ky procesi vaksinimit mund të them që është më i shpejti për momentin, jo vetëm në rajon por edhe vende të tjera”.

Ndërkaq, për tollovitë e krijuara para qendrave të vaksinimit, Vitia ka thënë se situate do të menaxhohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës e cila do të sigurohet që të mbahet rendi.

“Kemi folur dhe jemi në kontakt vazhdimisht me Ministrinë e punëve të Brendshme, aty do të jenë edhe forca policore në mënyrë që ta mbahet rendi, në të njëjtën kohë apeloj të qytetarët që bëjnë termin sepse kjo është mënyrë më e mirë për të shmangur tollovitë dhe mënyra më e mirë për t’u administruar dhe regjistruar në sistem ata që e marrin vaksinën”, ka thënë Vitia.

Ai theksoi se nga 21 gushti qytetarët do të mund të vaksinohen edhe ditën e shtunë.

Gjithashtu, në Kosovë, përmes një ceremonie para Qendrës së Klinikës Infektive, të premten e 20 gushtit, janë pranuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), një kontingjent i vaksinave prej 35 mijë e 100 vaksinash kundër COVID-19.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 20 gusht se katër persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 2 mijë e 250 raste të reja me Coronavirus, që është shifra më e lartë e infektimeve ditore që është regjistruar në Kosovë.

Viktimat ishin nga Peja, Prizreni, Rahoveci dhe Gjilani, ndërsa rastet e reja dalin pas testimit të 11 mijë e 814 mostrave.

MSH-ja po ashtu njoftoi se në 24 orët paraprake janë shëruar 154 persona.

Sipas njoftimit, grup mosha me më së shumti raste të reja është ajo 20-29 vjeç me 543 raste, pasuar nga 30-39 vjeç me 476 raste.

Komuna me më së shumti raste të reja është Prishtina, ku janë regjistruar 362 raste të reja.

Prej 13 marsit 2020 deri më 20 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 125 mijë e 348 me Coronavirus, ku 2 mijë e 307 persona kanë vdekur.

Raste aktive në Kosovë vazhdojnë të jenë 16 mijë e 341.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore