Kampionate

Vit i Ri Vllaznia e vjetër…


Pas pushimit për festat e fundvitit është rikthyer përsëri Kategoria Superiore në vend. Sfida hapëse e javës së 13 dhe e para për këtë vit ishte ajo mes Vllaznisë dhe Teutës, me vendasit që nuk kanë gabuar në shtëpi, duke e rritur diferencen me nëntë pikë, nga vendi i dytë, që aktualisht mbahet nga Teuta.

Shkodranët mbeten skuadra për tu mundur në Superligë, pasi janë thyer vetëm dy herë, po kaq herë kanë barazuar, ndërkohë që kanë nëntë fitore, që përbëjnë gati dy-tre fishë fitore më shumë se ekipet e tjera të Superligës.

Ndeshja e djeshme në “Loro Boriçi” premtonte spektakel që në fillim dhe ashtu ndodhi. Të dy ekipet kërkuan golin, por nuk arriti ta gjente asnjëra prej tyre në pjesën e parë të takimit, duke e mbyllur me rrjeta të paprekura.

Pjesa e dytë fillon më ndryshe për shkodranët, ku në minutën e 59’ të takimit, golashënuesi i ekipit, edhe kyresuesi i Superligës, Ardit Hoxhaj, arriti të që thyente durrsakët, për t’i çuar shifrat në 1-0. Po i njëjti lojtar rreth 10 minuta më vonë do të ndëshkohej me kartonin e kuq, si pasojë e një ndërhyrje të ashpër në dëmë të Denis Pjeshkës.

Minutat e mbetura, nuk prodhuan ndryshim rezultati, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të ekipeve.  Kështu Vllaznia mbetet në krye të Superligës dhe i shkakton Teutës, humbjen e parë në këtë sezon, pas 13 javësh të luajtura, një rast unikal dhe në Europe, pasi durrsakët ishin ndër të paktat ekipe që nuk ishin mundur asnjëherë.

Ditën e sotme do të luhen sfidat e tjera të mbetura. Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ka njoftuar se tre nga katër sfidat e programuara për sot, janë afruar me 15 minuta, pasi në stadiumet pritëse mungon sistemi i ndriçimit dhe me kushtet atmosferike aktuale, do të ishte e pamundur që te zhvillohej një futboll normal, në minutat e fundit të takimeve, pasi shkalla e mbulimit të qiellit me re dhe vranësira janë relativisht të mëdha.

Duke filluar nga ora 13:30, Kastrioti do të presë Skënderbeun, në stadiumin “Kamza”, me të dy ekipet që duan të sigurojnë fitoren, për tu larguar sa më shumë nga fundi i tabelës së renditjes, në mënyrë që të mos riskojnë rënien një kategori më poshtë në fund të sezonit, ndonëse Kastrioti i ka pozitat më të konsoliduara se Skënderbeu në renditje.

Laçi vendas do të presë verilindoret e Kukësit, me krutanët e rikthyer te fitorja në ndeshjen e fundit përballë Partizanit, ndërsa për kuksianët në katër ndeshjet e fundit, janë tre humbje dhe një barazim dhe sfida e sotme do të ishte një motivim i mrë që ky fillim viti të niste me fitore.

Bylisi do të presë në Ballsh kampionët në fuqi të Superligës, Tiranën, me vendasit që me renditjen aktuale rrezikojnë play off-in për të rënë apo jo një kategori më poshtë dhe një fitore sot do u jepte më shumë shpresë për aspiratat e tyre në pjesën e mbetur të sezonit. Për Tiranën, një fitore në ndeshjen e sotme do të ishte një katapultim në vendet e para dhe do të thotë një rikthim në garën për titullin kampion.

Në orën 16:45, do të luhet ndeshja e fundit e javës së 13, ajo midis Partizanit vendas dhe Apolonisë së Fierit. Demat e kuq të Ilir Dajës, kërkojnë fitoren e padiskutueshme, ndaj një kundërshtari të lehtë në letër, një fitore e cila do t’i rikthente në vendin e dytë, me shtatë pikë larg Vllaznisë, duke u futur seriozisht në garën për titull.

Apolonia sigurisht që vjen në këtë sfidë për të marrë maksimumin, por dhe një barazim me demat, do i kënaqte fierakët, që pas 13 javësh e shohin veten në vendin e fundit të tabelës së renditjes me tetë pikë dhe janë akoma në garë për të mbijetuar, për të paktën edhe një sezon në Kategorinë Superiore, sidomos tani që ndryshuan trajner dhe fituan edhe sfidën direkte, ndaj Kastriotit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore