Lajme

Visar Ymeri: VV mban anën e ZRRE-së, kundër qytetarëve


Visar Ymeri, analist

Vendimi i Bordit të Zyrës së rregullatorit të Energjisë në Kosovë për shtrenjtim të tarifës së energjisë elektrike është shumë i rëndë për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës, vlerëson analisti Visar Ymeri.

“Kemi një rritje shumë të madhe të çmimeve të energjisë që, përveç kësaj, do të ndikojnë edhe në rritjen e çmimeve të shumicës së artikujve bazë”, ka shpjeguar Visar Ymeri për Albanian Post.

Bordi i ZRrE-së ka aprovuar rritjen e çmimit të rrymës për konsumatorët që tejkalojnë konsumin mbi 800 kilovat.

Ata që shpenzojnë rrymë më shumë se 800 kilovat, tarifa për ta do të jetë 12 cent më e larta dhe 6 cent më e lira.

“Kjo do ta rëndojë tejet shumë gjendjen sociale në vend, dhe ka mundësi të shkaktojë pakënaqësi e protesta të qytetarëve”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se për këtë qytetarët kanë shumë të drejtë ta bëjnë edhe nëse e bëjnë.

“ZRrE është institucion publik që ka për detyrë mbrojtjen e interesit dhe të drejtës së konsumatorit, ndërsa ky vendim, dhe mungesa absolute e shpjegimit arsyetues të tij përgjatë kësaj kohe, shkon në kundërshtim të drejtpërdrejt me të drejtën dhe interesin e konsumatorit”, ka shtuar ai.

Ndërsa në mungesë të raportit përfundimtar, Ymeri vlerëson se “është e pamundur të komentohen detaje të këtij vendimi”.

E pa kuptueshme dhe e papranueshme për Ymerin është fakti se si deputetët e pozitës refuzuan në mënyrë kategorike për të diskutuar këtë temë në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila filloi pak minuta pas vendimit të ZRRE-së.

Ishin deputetët e Vetëvendosjes ata të cilët edhe pse qëndruan në sllë nuk votuan për mocionit të iniciuar nga PDK dhe partitë opoitare që të zhbëhet vendimi i Bordit të ZRrE-së për shtrenjtim të tarifës së energjisë elektrike.

“Pse është vendosur ky grup parlamentar (LVV) komplet në anën e ZRrE-së e kundër interesit të qytetarëve është vështirë të thuhet”.

“I vetmi shpjegim është kontrolli që ka kryeministri dhe qeveria përmbi këtë grup. Atëherë qeveria duhet të dal me shpjegime për këtë gjë”, përfundon Ymeri.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë

KMDLNj: Rryma do të ndikoj në shtrenjtimin edhe të artikujve tjerë

Se shtrenjtimi i energjisë elektrike do të ndikoj në shtrenjtimin edhe të produkteve të tjera, si shqetësim e ka ngritur edhe KMDLNj.

“Rritja e çmimit të rrymës pashmangshëm do të ketë efekt zinxhiror për të gjithë artikujt dhe shërbimet në Kosovë e që do ta varfërojë edhe më shumë qytetarin e Kosovës”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

“Pastaj, afatizimi i shtrenjtimit për dy vitet e ardhshëm është edhe një përligje e diskriminimit për faktin se edhe nëse çmimet e energjisë elektrike bien në tregjet botërore, në Kosovë mbeten të njëjta!”.

“Do të jetë tmerrësisht e papërballueshme kjo rritje për shumicën e qytetarëve të Kosovës dhe reagimi i qytetarëve do të jetë i paparashikueshëm. Nuk ka logjikë ekonomike dhe asnjë logjikë të ketë rritje aq drastike të çmimeve kurse pagat dhe pensionet mbesin në pikën zero”.

“Qeveria dihet të jetë më e vëmendshme në menaxhimin e situatës sociale e jo të sponsorizojë humbjet e një kompanie private që ua ka rrjepur lëkurën qytetarëve të Kosovës që nga çasti kur e privatizoi për para të imëta këtë përbindësh gllabërues që jetën e qytetarëve të Kosovës ua ka shndërruar në ferr”.

“Definitivisht, kohë të vështira për qytetarët e Kosovës”.

Rritja e rrymës në stinën e dimrit, rrezikon skajshmërisht shumicën e familjeve në Kosovë të cilët ngrohen me energji elektrike si alternativa e vetme e ngrohjes, duke bërë që të tejkalohet limiti i 800 kilovatëve, thuhet në reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë.

“Loja me shifra për subvencione dhe lehtësime për kategori të ndryshme të konsumatorëve thjesht është një mashtrim, sa për ta qetësuar situatën”, shkruan në reagimin e KMDLNj-së.

Pastaj, ndarja dhe dallimet midis konsumatorëve është një diskriminim flagrant dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

KMDLNj kishte kërkuar të ketë rritje lineare dhe të jetë e përballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës ndërsa vetëm gjendja ekonomike do të duhej të ishte përcaktues për subvencionim të pjesshëm apo, në raste shumë të rënda edhe lirim nga pagesa.

Vazhdimi i pagesës së rrymës për katër komunat në vero të Kosovës paraqet racizëm të shëmtuar përballë konsumatorëve të tjerë, pagues të rregullt.

Kuvendi i Kosovës të martën, pas mos votimit të mocionit kundër zhbërjes së vendimit të ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës

Pas vendimit të Bordit të ZRrE-së, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, opozita e prirur nga PDK, kërkoi të votohet një mocion për zhbërjen e vendimit të ZRrE-së dhe shkarkimin e bordit të këtij institucioni, pas marrjes së vendimit për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike, por kjo nismë nuk morri dritën e gjelbër.

U përkrah nga LDK e AAK, por jo nga deputetët e Vetëvendosjes.

Nga 87 deputetë prezentë, vetëm 36 prej tyre votuan për mocionit, duke bërë që kjo iniciativë të shuhet ende pa u nisur.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore