Shqipëria

Vijon verifikimi paszgjedhor: PD me më shumë vota të hequra, të pavarurit të palëvizur


Verifikimi paszgjedhor i kutive të votimit për parlamentaret e 25 prillit vijon në Shqipëri, ku partia e cila ka më së shumti vota të hequra, vijon të mbetet ajo Demokratike, me 89 të tilla.

Po me vota të hequra, por diçka më pak, mbetet edhe Partia Socialiste. Kjo e fundit radhitet me 65 vota ndryshore.

Pavarësisht këtyre shifrave, diferenca është e papërfillshme për të lëvizur diçka në rezultatin zgjedhor.

Në vëmendje ka qenë edhe rezultati i kandidatëve të pavarur gjatë zgjedhjeve, ku rezulton se votat e tyre janë numëruar të gjitha, pa shkaktuar asnjë problematike apo kontestim.

Të shpërndarë në qytete të ndryshme, shifrat e tyre janë identike me rezultatin zgjedhor në kutitë e hapura.

Kështu, Elton Debreshi mbetet me 53 vota në 354 kuti të numëruara. Iljaz Shehu me 40, Boiken Abazi me 275 dhe Pal Shkambi me 23.

Për sa i përket partive të tjera, ajo Socialdemokrate rezulton me 9 vota mangët nga verifikimi. Lëvizja Socialiste për Integrim ka 12 vota mangët. Në këto terma, me vetëm katër vota ndryshore negative, është Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare. Lëvizja për Ndryshim është me vetëm një votë minus.

Gjithsesi, tre subjekteve “u janë vjedhur” disa vota në 25 prill. Por, numri i tyre është i papërfillshëm.

Bëhet fjalë për Nismën Thurje, të cilës i janë shtuar dy vota, partisë Lëvizja e Re të cilës i shtohen katër dhe Aleancës Bashkimi Popullor Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët, të cilëve u shtohen tre vota.

Nga verifikimi i deritanishëm për mbi 100 mijë vota, gabimet kanë qenë me më pak se 200 vota. Pra, nuk ka pasur ndryshim të votës në këto kuti të rinumëruara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore