Kosova

Video e VV-së: Skandalet e aferat cilësohen “ide imagjinare” të opozitës


Ilustrim

Partia që për më shumë se dy vite ushtron krejt pushtetin ekzekutiv në Kosovë, ka publikuar të hënën një tjetër video propagandistike, ku përveç që ka zgjedhur të lavdërojë veten dhe punën e tyre në qeverisje, ka sulmuar edhe partitë opozitare që dikur kanë udhëhequr me vendin.

Lëvizja Vetëvendosje, në videon e titulluar “Zhvillimi dhe drejtësia shkojnë bashkë”, të cilën e ka publikuar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ka paraqitur një kryeministër ideal dhe një vend pa probleme, ndërsa aferat e skandalet e tyre i ka cilësuar “ide imagjinare” të prodhuara nga opozita.

Në video pretendohet se zhvillimi ekonomik gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti dhe krijimi i vendeve të reja të punës nuk iu ka pëlqyer partive opozitare, të cilat rëndom cilësohen “humbëse dhe zhvatëse”, ndërsa pandehet ndër të tjera se gjatë qeverisjes së tyre, këtyre të fundit po iu rrezikohet “pasuria e paligjshme”.

E rrahjen në Kuvendin e Kosovës muajin e kaluar mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kjo parti e ka cilësuar “inskenim dhe organizim” të opozitës, derisa kanë shprehur edhe dyshime se opozita ka gisht në keqpërdorimet e rezervave shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

“Dolën me audio-incizime të militantëve të tyre për të provuar baltosjen e njerëzve tanë në institucione. Asnjë provë apo dëshmi, por vetëm shpifje ndaj qeverisë që nuk po ua lagë fytin si qeverisjet e kaluara. Ndryshimi i madh që tashmë është duke u jetësuar në Kosovë është i pandalshëm”, thuhet në videon e Lëvizjes Vetëvendosje.

Video-propaganda e Lëvizjes Vetëvendosjes nuk është e para e këtij lloji dhe me gjasë nuk do të jetë as e fundit. Një video tjetër që kishte ngjallur shumë reagime në opinionin publik ishte titulluar “Çka ka, çka s’ka këto 2 vite?”, pasuar nga një tjetër me titull “Shkatërruesit e shtetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore