Shqipëria

“Vetting-u filtroi sistemin, Reforma në Drejtësi po jep rezultat”


“Reforma në drejtësi po jep rezultat”, ka thënë ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, të premten e 1 tetorit, në konferencën “Roli i Institucioneve Vetëqeverisëse të Drejtësisë”.

Shteti i së drejtës ishte “i kapur peng”, sipas Manjës, nga korrupsioni në çdo qelizë të sistemit të drejtësisë që promovonte pandëshkueshmërinë, shfaqej në gjendjen më kritike të ekzistencës së vet.

“Etapa tjetër, ajo e konsolidimit të saj, është vendosur në axhendën e Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e prillit të këtij viti, si prioritet madhor, ‘Për një Shqipëri të fortë’, përmes forcimit të shtetit të së drejtës”.

Vetting-u “filtroi” një numër të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh, duke i nxjerrë nga sistemi, ka deklaruar ndër të tjera Manja.

Ministri e ka krahasuar sistemin e drejtësisë me atë të mëparshëm, që “promovonte padrejtësinë dhe modelin e pandëshkueshmërisë”.

Ai ka bërë të ditur dhe hapat e mëtejshme që do të ndërmarrë institucioni i drejtësisë.

“Do miratojmë hartën e re gjyqësore dhe do të rrisim numrin e pranimit në shkollën e magjistraturës, si e vetmja rrugë për plotësimin e vakancave”.

I pranishëm ishte dhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Luigi Soreca, i cili ka bërë thirrje që “vetting-u të vazhdojë, duke zgjatur afatet e organeve të vetting-ut”.

“Konsolidimi i Reformës në Drejtësi duhet të jetë kryefjalë”, u shpreh Soreca, ndër të tjera, duke ritheksuar se “Reforma në Drejtësi po sjell rezultate konkrete të paimagjinueshme”.

Një ditë më parë, Soreca, gjatë një takimi me ministrin e sapoemëruar të Drejtësisë, Ulsi Manja, të enjten e 30 shtatorit, ka bërë thirrje që “Reforma në Drejtësi duhet të konsolidohet”.

Sipas tij, efikasiteti i gjykatave dhe pavarësia e magjistratëve janë “qëllimet kryesore”.

Në përmbyllje, Soreca u shpreh se është “urgjente” që procesi i Vetting-ut të përfundojë sa më shpejt, por “duke ruajtur integritetin e procesit”.

Prezent ishte dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Qeveria italiane ka kontribuar në krijimin e Reformës në Drejtësi, si dhe në vazhdimësinë e saj

Nisma Mbështetje për Shkollën Shqiptare të Magjistraturës është nja nga kontributet e shtetit Italian në vendin tonë.

Në kuadër të reformës kushtetuese, e menaxhuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunimin e Zhvillimit në Tiranë, në bashkëpunim me Këshillin Superior Italian të Gjyqësorit (CSM), ka qenë përparësi e bashkëpunimit Itali-Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore