Lajme

Veteranët e luftës paralajmërojnë protesta, nëse ndryshohet ligji për pagën minimale


Ilustrim.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë kanë paralajmëruar protesta në rast se te enjten deputetët e Kuvendit nisin ndryshimin në ligjin për veteranët, që lidh pensionimin me pagën minimale në vend.

Këtë paralajmërim e ka bërë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku përmes një shkrimi në ‘Facebook’.

“Nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës, si pikë 5 e rendit të ditës është paraparë që të diskutohet rreth pagës minimale, ku me anë të projektligjit, tentohet që të ndryshohen ligje që t’i heqin veteranët e luftës nga rritja e pagës minimale”.

“Kjo qeveri mashtruese, duhet ta ketë parasysh se me këtë po bën edhe shkelje kushtetuese. Prandaj, deputetë të nderuar, ju bëj thirrje që mos t’iu përdor Albin Kurti si mashë e kundër vlerave të lirisë, dhe ta keni parasysh se kjo gjë do të kundërshtohet me protesta nga ana jonë”, ka shkruar ai në Facebook të mërkurën në mbrëmje.

 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” u shpallën të pafajshëm

Më 19 janar të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë pati shpallur të pafajshëm 12 të akuzuarit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Listës së personave të akuzuar i printe Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Njëra nga seancat për “veteranët e rrejshëm” në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Të njëjtit ishin akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shkak se gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri me datë 31.01.2017, në Prishtinë në ndërtesën e Qeverisë të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim që të tjerëve t’u sjellin përfitimin pasuror të kundërligjshëm në dëm të buxhetit të Kosovës.

Megjithatë, Gjykata e Apelit ende nuk ka marr vendim lidhur me rastin në fjalë pasi Prokuroria Speciale e ka ankimuar vendimin e shkallës së parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore