Kosova

Veteranët arrijnë në Qeveri, takimi po mbahet me dyer të mbyllura


Përfaqësuesit e Veteranëve duke hyrë brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës

Përfaqësuesit e organizatës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë arritur në Qeveri për takimin me kryeministrin Albin Kurti.

Takimi është si rrjedhojë e protestës së veteranëve, të cilët të enjten e 16 qershorit, rrethuan ndërtesën e Qeverisë për të shprehur pakënaqësitë lidhur me mos përfshirjen e kësaj kategorie në Projektligjin për pagën minimale, i cili u miratua në lexim të parë tre ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Kërkesa e dytë e veteranëve, ishte edhe ndërprerja e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritej të votohej Projektligji për tërheqjen e një shume të caktuar të mjeteve nga Trusti, me pretekstin se seanca nuk duhej vazhduar pa u trajtuar çështja e veteranëve.

Protesta e veteranëve

Në anën tjetër paralelisht me protestën e veteranëve, protestë ka pasur edhe në Parlamentin e Kosovës, ku partitë opozitare duke u solidarizuar me veteranët arritën që ta bllokonin foltoren e Kuvendit kështu duke e pamundësuar vazhdimin e seancës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, detyrimisht ndërpreu seancën dhe i ftoi krerët e partive opozitare në zyrën e tij për të biseduar e rrjedhimisht për të gjetur një gjuhë të përbashkët.

Në kthim nga pauza, kryeministri Kurti, nga foltorja lajmëroi se ka pranuar kërkesën e veteranëve për dialog, kështu duke bërë të ditur se ai do të presë përfaqësuesit e veteranëve së bashku me ministrin e Financave, dhe kryetarin e komisionit për buxhet në zyrën e tij të premten e 17 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore