Lajme

Vetëm 3 komuna ua falin 100 euro tatim qytetarëve, Murati i bënë thirrje edhe të tjerave ta “shfrytëzojnë mundësinë”


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se deri më tani vetëm tri komuna kanë miratuar faljen prej 100 eurosh tatim për të gjithë banorët e këtyre komunave, që mundësohet në Ligjin për Tatimin në Pronë, i cili së fundmi është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Graçanica, Obiliqi, dhe Drenasi janë komunat për të cilat në javën që po lëmë pas është raportuar se kanë miratuar faljen e një pjese të barrës së tatimit në pronë, ashtu siç e mundëson ligji i ndryshuar për tatimin në pronë”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ministri ka theksuar se si ekzekutiv kanë hartuar ligjin e ndryshuar, dhe pas kësaj ligji është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Një mundësi të tillë për të lehtësuar barrën e tatimpaguesve e patën kërkuar pothuajse të gjitha komunat. Tani, u takon komunave të vendosin nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo”, theksoi ai.

Murati potencoi se deri në fund të muajit gusht 2023, nga tatimi në pronë komunat “kanë mbledhur mbi 35 milionë euro, që e tejkalon me rreth 500 mijë euro nivelin e mbledhur për komplet vitin 2022”.

“Marrë parasysh këtë performancë të mirë, i inkurajoj edhe komunat tjera që të shfrytëzojnë mundësinë e faljes së një pjese të tatimit në pronë që të lehtësojnë barrën e qytetarëve, para datës 15 shtator 2023, kur edhe përfundon afati ligjor”, përfundoi ai.

Asociacioni i Komunave të Kosovës, të premten e 25 gushtit e ka dërguar në Kushtetuese Ligjin për tatimin në pronë të paluajtshme, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.

Dorëzimin e kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

Ndaj dërgimit të këtij ligji në Kushtetuese ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili e ka cilësuar si një veprim të kotë i cili “dëshmon edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin”.

“Krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike”, beson Murati, “është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”.

“Por kjo nuk pin ujë. Sepse ligji i ndryshuar tashmë është në fuqi, dhe secila komunë ka mundësinë të vendosë për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit më së largu me 15 shtator 2023”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Murati, ka theksuar se Komunat për ligjin që e kishin miratuar vetë në vitin 2018 – ligj i cili parashihte vlerësimin e pronave sipas tregut, dhe që parashihte që përveç tatimit në objekte, të fillonte edhe të llogaritej tatimi në tokë me 100 për qind të vlerës në vitin 2023 – tentuan t’ia hedhin fajin Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore