Kosova

Vështirë me Vuçiç-in


Lajcka dhe Vucic ne takim

I dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por aq e vështirë ishte biseda saqë do ju duhet edhe një tjetër më vonë.

Kështu ka njoftuar vetë Lajçak, në një cicërim të shkurtër në Twitter. “Diskutim i vështirë, por i përgjegjshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, shkroi Laj֛çak.

“Përcolla mesazhet dhe theksova se marrëveshjet e arritura në dialog duhet të implementohen, përfshirë atë të vitit 2011 në Lëvizjen e Lirë”, shtoi ai. Derisa, në fund, ka paralajmëruar edhe një takim tjetër.

“Do t’i vazhdojnë bisedimet tona sonte më vonë”. Ndryshe Lajçak, gjatë ditës kanë takuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Veri të vendit.

Në takim me të dy deleguarit amerikano-evropian, përveç kryetarit të Listës Serbe dhe njëherit ministrit për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiç’it, morën pjesë edhe kryetarët e komunave të Zveçan’it, Leposaviç’it, Zubin Potok’ut dhe Mitrovicës së Veriut. Fillimisht nga takimi në fjalë u largua diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, i cili u adresua para mediave në gjuhën serbe.

Ai u pyet nga gazetarët rreth deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në takimin e 18 gushtit ka qenë Lajçak’u ai që ka kërkuar shtyrjen e implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për targat dhe kartat e identitetit.

Mirëpo, Lajçak përpos se ka refuzuar t’i komentojë para mediave deklaratat e Kurtit, ka thënë se mu për këtë temë “ka shumë spekulime” dhe se ai vetë “nuk di asgjë për këtë”.

Më tej Lajçak, ka shtuar se gjitha këto takime, si në Veri ashtu edhe në Prishtinë janë zhvilluar për të vetmen arsye – që më 1 shtator të mos ketë barrikada.

“Dëshirojmë që 1 shtatori të jetë ditë normale, një ditë e zakonshme, unë jam optimist, nuk do të isha këtu po të mos isha optimist”, ka theksuar ai.

Lajçak më tej është pyetur se kur Kurti dhe Vuçiç do të takohen sërish në Bruksel për raundin e ri të bisedimeve.

“Unë supozoj se shumë shpejt. Ata ranë dakord që të shihen afërsisht një herë në muaj. Janë shumë tema që palët duhet t’i diskutojnë”.

Retorika se serbët e Kosovës po maltretohen nga njësitet policore të Kosovës ka filluar tash e sa kohë nga Vuçiç në Serbi dhe paralelisht përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Gjithsesi, në asnjë nga deklarimet, apo konferencat, nuk janë ofruar statistike sa ka rritje të dhunës të institucioneve në raport me civilë në Veri.

Më pastaj nga dera kryesore e sallës ku u mbajt takimi u shfaq Gabriel Escobar. Ai theksoi se SHBA-të kanë parasysh shqetësimet e kryetarëve të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe krerëve të Listës Serbe, pasi që 1 shtatori dita e rifillimit të implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targat dhe kartat e identitetit po afrohet.

“Unë vetëm dua të them se ne e kemi parasysh shqetësimet e përfaqësuesve të serbëve. Tash do të vazhdojmë për në Beograd, shpresojë se do të jemi në gjendje të bëjmë një njoftim për media në Beograd më vonë sot”, ka thënë Escobar shkurt para mediave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore