Lajme

Veriu i nxehtë i Kosovës – zhvillimi për të cilën keqinformohet më së shumti audienca kosovare


Mitrovica e Veriut

Të dhënat e platformës hibrid.info – anëtare e Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN) – tregojnë se audienca kosovare më së shumti keqinformohet lidhur me ngjarjet në veri të Kosovës, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ngjarjet në komuna e rajone të banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës hasin më së shumti në keqinformim kur bëhet fjalë për ngjarjet politike, ku pothuajse 20 për qind e temave, për të cilat shpërndahet keqinformim në media, kanë të bëjnë me lajmet për pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe apo dialogun Kosovë – Serbi.

“Kjo na tregon se prodhimi dhe publikimi i përmbajtjeve keqinformuese është bërë me qëllim të krijimit të një narrative dezinformuese”, thuhet në raportin e publikuar me të dhëna për muajt korrik-dhjetor të vitit 2022.

Veriu i prin me 12.3 për qind të lajmeve keqinformuese kurse çështja e çmimeve është e dyta me 5.2 për qind e pasuar nga dialogu me 3.1 për qind. Keqinformimi lidhur me këto ngjarje dhe të tjera, është evidentuar në disa forma: dezinformim, manipulim i fakteve, clickbait, përmbajtje e paevidentuar, gabim, teori konspirative, etj.

Të dhënat e hibrid.info tregojnë se “mediat e dyshimta” – siç janë cilësuar ato që nuk janë të regjistruara si entitete juridike apo nuk kanë të dhëna për aktivitetet e tyre – nuk janë të vetmet që shpërndajnë keqinformime.

Të dhënat e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) tregojnë se gati gjysma e qytetarëve të Kosovës nuk i verifikojnë fare informatat që i marrin në rrjete sociale, përkundër që 85 për qind besojnë se portalet publikojnë nganjëherë lajme të rreme.

Një prej karakteristikave kryesore të zhvillimit të ngjarjeve në përgjithësi gjatë “krizës së barrikadave” ishte të ushqyerit e narrativave të konfliktit, ku më shumë u përqendruan në parashikimin e asaj që mund të shkojë keq sesa në raportim të fakteve.

Për këtë, ideimi i lajmeve në masë të madhe u ndikua nga informata të pa konfirmuara, të ardhura nga postime të ndryshme në rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter, që në disa raste bëheshin edhe nga llogari anonime.

Dezinformimi është forma më e shpeshtë e keqinformimit në Kosovë, sipas të dhënave të platformës pasuar nga “Clickbait” (lajme me titull karrem për lexim), përmbajtja e paverifikuar e lajmi i rremë.

Për këtë arsye, përveç nevojës së profesionalizmit dhe respektimit të kodit etik gazetaresk nga mediat, Shkëlzen Osmani, themelues i platformës hibrid.info, ka thënë se është shumë e rëndësishme të përfshihet edukimi digjital dhe medial në edukimin shkollor.

“Kjo do t’i ndihmonte konsumuesit e përmbajtjeve digjitale që të zhvillojnë një gjykim kritik që nga moshat e reja. Rritja e gjykimit kritik dhe analitik i bën lexuesit që të jenë më të vëmendshëm në aspektin e përcaktimit të vërtetësisë së informacioneve që i lexojnë e, si rrjedhojë, edhe të bien më pak pre e keqinformimit”, ka thënë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore