Sport

Vendimi i Parlamentit francez, më 5 maj nuk luhet asnjë ndeshje futbolli


Parlamenti i Francës ka votuar gjatë ditës së enjte të 14 tetorit se asnjë ngjarje sportive në futbollin profesionist nuk do të luhet më datë 5 maj.

Pas votimit në Senat, ishte Parlamenti që miratoi përfundimisht projektligjin, sipas të cilit asnjë ndeshje nuk do të luhet më 5 maj për nderim të viktimave në stadiumin e Furiani-t.

Çfarë ka ndodhur më 5 maj?

Ishte viti 1992, data 5 maj, dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Francës do të përballej Marseille me Bastia-n.

Bastia ishte skuadra pritëse. Në stadiumin “Armand Cesari”, që vitet e kishin amortizuar, u vendos që të shtoheshin tribuna pasi kishin përballë Marseille-n.

Në atë kohë, Marseille ishte skuadra më e madhe në Francë. Autoritetet lokale dhanë dritën jeshile për shtimin e tribunave.

Por, përpara se ndeshja të fillonte, ajo pjesë e shtuar e stadiumit u shemb dhe u regjistruan 19 viktima dhe 2 mijë e 300 të plagosur, duke u bërë një nga ngjarjet më të rënda në futboll.

Vendimi i Parlamentit shkon në respekt të viktimave. Asnjë ndeshje nuk do të luhet në Ligue 1, Ligue 2, Kupën e Francës dhe Champions League më 5 maj.

Ndeshjet e futbollit amator do të lejohet që të luhen, por do të mbajnë një minutë heshtje në fillim të takimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore