Lajme

Vendimi i Ministrisë: Për 28 nëntor e kanë pushim vetëm ata që bëjnë punë shteti


Flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë.

Në kalendarin zyrtar të Republikës së Kosovës janë 11 festa zyrtare. Mes tyre, edhe Dita e Evropës, por 28 nëntori nuk është një nga festat.

Në kalendarin e festave zyrtare, kjo datë në Kosovë vazhdon të jetë ditë pune.

Por, pothuajse secilin vit, Ministria e Punëve të Brendshme e shpallë ditën e flamurit kombëtar ditë pushimi.

Por, dita e pushimit nuk do të vlejë për të gjithë këtë vit.

MPB e ka shpallur pushim vetëm për kategorinë e administratës publike.

Me vendim, ata që bëjnë punë shteti do pushojnë, kurse sektori privat vazhdon punën normalisht.

Prandaj, ky vendim po cilësohet si “diskriminues dhe ofendues”.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat në një bisedë për Albanian Post, kujton se edhe në kohën e okupimit, gjithmonë kanë gjetur forma të ndryshme për ta festuar 28 nëntorin.

“Vendimi që 28 nëntori të jetë festë zyrtarëve vetëm për punëtorët e administratës publike është vendim çnjerëzore. Ne festat e 28 nëntorit i kemi festuar edhe atëherë kur e kemi pasur pushtetin okupues serb. E kemi festuar në forma të ndryshme”.

Festa e 28 nëntorit në Prishtinë, foto nga arkivi.

“Kemi festuar edhe në mënyrë të fshehur, sepse është një festë jashtëzakonisht shumë e madhe. Realisht, ta bëjë një vendim kryeministri i Kosovës dhe ta ndajë një festë kombëtare në sektorin publik dhe në atë të sektorit privat kjo me të vërtetë është çmenduri e nivelit të vet”.

Sipas tij, ka një numër jo të vogël të punëtorëve të cilët janë entuziastë për festën e 28 nëntorit.

“Ka shumë punëtorë që për hir të festës kombëtare dëshirojnë që patjetër ta festojnë këtë ditë, sepse kanë sakrifikuar. Ky punëtor nëse nuk shkon në punë, pronari i kompanisë në bazë të këtij vendimi që e ka përpiluar Qeveria e Kosovës, ka të drejt ta dënojë punëtorin dhe të them të drejtën është një vendim që nuk po mundem ta kuptoj”.

Sipas Azemit, “me këtë vendim neve na është cenuar e drejta për ta festuar këtë festë”.

Përveç kësaj, ai i dëshpëruar shprehet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pritshmëritë e tij, që do të bënte ndryshime për sektorin privat ishin të mëdha.

“Ky kryeministër, ka thënë që nuk ka më punëtorët të punojnë më shumë se 40 orë në javë, punëtorët do ta kenë pushimin e vet edhe gjatë vikendeve. Por, merreni me mend se kemi ardhur në një situatë kur kryeministri edhe festat kombëtare vetë kryeministri na sanksionon dhe nuk na jep të drejtën ligjore ta festojmë këtë datë”.

Por, sipas avokatit Artan Qerkini, një vendim i tillë për sektorin privat nuk mund të merret nga institucionet publike.

“Është krejtësisht e natyrshme që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës të merr vendim vetëm për administratën shtetërore. Kjo ministri nuk ka autorizime ligjore të marr vendime për sektorin privat”, thotë Qerkini.

Qeveria për 28 nëntor gjithmonë përpilon vendime të veçanta

Në kalendarin e festave zyrtare, kjo datë në Kosovë vazhdon të jetë ditë pune.

Në Ligjin për festat zyrtare, 28 Nëntori është i përfshirë te Ditët Memoriale, nën emërtimin “Dita e Shqiptarëve”.

Sidoqoftë, shumë institucione, duke përfshirë edhe vetë Qeverinë, pothuajse çdo vit nxjerrin vendime të veçanta duke e shpallur ditë pushimi, datën 28 nëntor.

Në vigjilje të festës së 28 Nëntorit, të dielën e 27 nëntorit, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët.

Festa e 28 nëntorit në Prishtinë, foto nga arkivi.

Më 9 nëntor, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Komisionin Republikan të Festave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte treguar edhe funksionin e këtij komisioni i cili supozohet se duhet të përgatis rregullat dhe mënyrat e shënimit të festave zyrtare si dhe ditëve memoriale.

Ndryshe, në Kosovë ka pasur vazhdimisht kritika për festat zyrtare.

Edhe Shqipëria, e cila ka 14 festa zyrtare, i shtyn ato në ditë pune, nëse bien të shtunën ose të dielën.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj, janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore