Lajme

Vendimi i Kurtit për Manastirin, Abdixhiku: Populli ka qenë subjekt i mashtrimit populist – perdja e të cilit ra lehtësisht


“Fatkeqësisht, populli i Kosovës ka qenë subjekt i mashtrimit popullist, perdja e të cilit ra edhe një herë, lehtësisht”.

Kështu ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post kur është pyetur për urdhrin e kryeministrit Albin Kurti për Agjencinë Kadastrale që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Ky mashtrim dikur nxiste përplasje, përçarje e tension kombëtar, duke mbajtur peng jo vetëm fatin tonë euroatlantik por dhe duke treguar papërgjegjësi nacionale”, potencoi ai.

Deputeti i LDK-së ka theksuar se vendimet dhe opinionet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim dhe se ato nuk mund te kontestohen, por ka shtuar se “ndërtimit të kauzave të rrejshme me qëllim ardhjen në pushtet, i thonë mashtrim”.

“Kauzat e rrejshme mbesin gjithnjë të dëmshme. Siç është e dëmshme dhe kjo qeverisje pa rezultate, pa parime, përplot propagande e mashtrim. Herët apo vonë, qytetarët do ta kuptojnë se janë mashtruar në çdo qëndrim. Le të përpiqemi sa më herët para së të bëhet vonë”, theksoi kreu i LDK-së.

Ndryshe, Kurti ka theksuar se Qeveria ka qenë para dy opsioneve – të plotësoj këtë kusht në atë mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, apo të ngelë pa u anëtarësuar në këtë organizëm ndërkombëtar.

Kurti ndër të tjera ka bërë të ditur se Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi në fjalë, të cilën e ka cilësuar si të çuditshme e të padrejtë.

Megjithatë ai ka pranuar se ekzekutivi kosovar nuk ka mjete ligjore e juridike për të anuluar vendimin në fjalë.

“Si kryeministër, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje teksa ne si qeveri s’kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Por, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një komunikate për media, ka thënë se komuna të cilën ai e drejton është goditur padrejtësisht pas urdhrit të kryeministrit ndaj Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, me arsyetimin se pa zbatimin e tij Kosova nuk mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Deçani së pari është goditur padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua ‘Zona e Veçantë e Mbrojtur’, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në: ndërtimin e rrugës; ndërtimin e shtratit të Lumbardhit; në ndalimin e shfrytëzimit të ‘Pushimores së Fëmijëve’ e ndaloj plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone”, thuhet në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore