Vende

Vendet më të mira për t’u vizituar


Udhëtimet ju lejojnë të takoni njerëz të kulturave të ndryshme, me tradita të ndryshme dhe stile të veçanta jetese.

Megjithatë në një botë plot destinacione magjepsëse, zgjedhja e vendit të përsosur të pushimeve mund të paraqesë sfidë.

Këto janë disa rekomandime për të hartuar listën tuaj të udhëtimit:

Ishulli Jugor, Zelanda e Re

Ishulli Jugor i Zelandës së Re është i mbushur me peizazhe madhështore në çdo hap, nga malet dramatike te akullnajat. Këtu, ju mund të admironi malet e Parkut Kombëtar Fiordland, një Trashëgimi Botërore e UNESCO-s. Natën, mund të udhëtoni drejt Observatorit Mount John të Universitetit të Canterbury për të shikuar qiellin me yje. Gjithashtu, mund të kënaqeni duke eksploruar dy nga akullnajat në bregun perëndimor të ishullit, ose të provoni ushqim dhe verën e shijshme në rajonin e Marlborough.

Paris

Ky qytet tërheq miliona vizitorë çdo vit me ambientin e tij të paharrueshëm. Sigurisht që merita më e madhe i takon kuzhinës hyjnore dhe koleksioneve të mëdha të artit. Lumi, Seine përshkon qytetin, i shoqëruar nga muzetë madhështorë, kisha shekullore dhe blloqe të arkitekturës me dizajn Rokoko dhe Neoklasik. Parisi njihet për  muze të klasit botëror, modë, kuzhinë dhe një atmosferë të vetën. Nëse vendosni të shkoni në këtë qytet, patjetër duhet të vizitoni: Musée d’Orsay, shijoni pamjen në majë të Kullës Eiffel, ose planifikoni një udhëtim ditor në Pallatin e Versajës. Por, mos harroni edhe kënaqësinë e thjeshtë të shëtitjeve në rrugicat e Parisit.

Parku Kombëtar Glacier

I njohur për mbetjet e akullnajave nga epoka e akullnajave, Parku Kombëtar Glacier, ndodhet në kufirin e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, ai shpesh quhet “Kurora e Kontinentit”, pasi që ulet në burimet e lumenjve që derdhen në Oqeanin Paqësor, Gjirin e Meksikës dhe Gjirin Hudson. I preferuar në mesin e alpinistëve, parku përmban një larmi shtigjesh për të gjitha nivelet e aftësive, duke filluar nga Shtegu i lehtë i Kedrave deri te Akullnaja sfiduese Grinnell.

Për më tepër, parku mburret me më shumë se 700 liqene, ujëvara të shumta dhe dy vargje malore, të shpërndara në më shumë se 1 milion hektarë që strehojnë një sërë kafshësh të egra. Rruga “Going-to-the-Sun” një udhëtim piktoresk, është një monument historik kombëtar dhe një mrekulli inxhinierike që ofron pamje spektakolare, si dhe qasje në shtigje të njohura të alpinizmit. Shumë prej shtëpive dhe hoteleve të parkut u ndërtuan nga Hekurudha e Madhe Veriore në fillim të shekullit 20 dhe janë në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike.

Bali

Shumë udhëtarë nuk kanë qenë kurrë në këtë ishull indonezian. Megjithatë, fjala “Bali” sjell ndër mend pamjet e peizazhit fantastik, vullkanet e tmerrshme të mbështjella me një kulm të gjelbër të thellë, brigjet me rërë që zbehen në ujë dhe vijat bregdetare të kurorëzuara me faltore të shkallëzuara. Besoni apo jo, Bali rrallë zhgënjen.

Do të habiteni se sa lloje të ndryshme vizitorësh argëtohen në këtë parajsë mbi tokë. Udhëtari i zakonshëm thjesht qëndron në vendpushimin afër oqeanit dhe kënaqet në trajtime luksoze, kuzhinë të shijshme dhe banja dielli. Por, historiani do të gjejë kënaqësitë e tij në tempujt e shumtë të ishullit, ndërsa aventurieri do të zbulojë shtigje të reja deri në një vullkan aktiv në Kintamanit. Prandaj, Bali lirshëm mund të quhet një ëndërr e realizuar për të gjithë.

Phuket

Rëra e bardhë e pastër, ujë akuamarin dhe shkëmbinj gëlqerorë presin udhëtarët që vizitojnë ishullin jugperëndimor të Phuket të Tajlandës. I rrethuar nga Deti Andaman dhe rreth një orë me aeroplan nga Bangkok, ky ishull është një pjesë e vogël e parajsës, i cili vjen me një çmim relativisht të ulët për gjithçka, nga akomodimi i tij te trajtimet dhe turnet me varka. Por, së bashku me tërheqjen e tij tropikale, Phuket u bën thirrje udhëtarëve që dëshirojnë të provojnë kuzhinën dhe kulturën e pasur, të ndikuar shumë nga feja mbretëruese: Budizmi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore