Kosova

Veç 7 vjet e gjysmë për vrasjen e një të riut – ky dënim është “skandal, turp, tmerr”, thotë Çitaku


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se dënimi që është vendosur nga Gjykata Themelore e Pejës prej 7 vite e 6 muaj burgim për Shaban Gogaj i cili kishte vrarë Agonis Tetajn, në shtator të vitit 2018 në Deçan është “i turpshëm”.

Këtë reagim Çitaku e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“7 vjet e gjysmë dënimi për vrasje. 7 vjet e gjysmë. Skandal. Turp. Tmerr”, ka shkruar ajo.

Shaban Gogaj është dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.

Ky vendim është marrë nga Gjykata Themelore në Pejë.

Aktygjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, bën të ditur ‘Betimi për Drejtësi’.

Bazuar në aktgjykim Gogaj është gjykuar për vrasje nga pakujdesia për 5 vite burgim dhe 3 vite burgim për armëmbajtje pa leje.

Gjykata për të akuzuarin Shaban Goajn caktoi dënimin unik prej 7 viteve e 6 muaj . Kurse i pandehuri Isuf Cacaj  për armëmbajtje pa leje dënohet me 2000 euro.

Të pandehurit Gogaj do t’i konfiskohet një armë e zjarrit dhe një  armë me gaz.

Në seancë ka qenë prezent edhe ish-avokati i të akuzuarit Gogaj, Besnik Berisha, i cili ishte përjashtuar nga ky rast.

Shaban Gogaj dënohet vetëm 7 vjet burgim për vrasjen e Agonis Tetajt

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore